3.2 mld euro për prodhimin e çipave në Itali – Investimi i kompanisë nga Singapori pritet të gjenerojë 1600 vende pune
Startup-i i gjysmëpërçuesve Silicon Box do të investojë 3.2 miliardë euro në Itali për të ndërtuar një fabrikë çipash në veri të vendit, deklaroi Ministri i Industrisë, Adolfo Urso.
“Ngjarjet e fundit globale theksojnë nevojën për të ndërtuar një zinxhir furnizimi më elastik për gjysmëpërçuesit në Evropë”, shtoi Urso. Fabrika e prodhimit të çipave pritet të gjenerojë 1600 vende pune.
Njoftimi, për investimin e Silicon Box me bazë në Singapor, erdhi pasi qeveria italiane nuk arriti të bindë gjigantin e prodhimit të çipave me bazë në SHBA, Intel Corp, i cili ka një kapital tregu prej rreth 186 miliardë dollarësh, për të investuar në Itali. Silicon Box mbylli një raund financimi prej 200 milionë dollarësh në janar, duke e çuar vlerësimin e tij në më shumë se 1 miliard dollarë. Qeveria nuk ka sqaruar ende se nga do të vijë financimi.
Evropa dhe SHBA po kërkojnë gjithnjë e më shumë të forcojnë prodhimin kombëtar të çipave për të reduktuar varësinë nga fabrikat aziatike dhe për të shmangur rrezikun e mungesës së furnizimit.
Intel zgjodhi Poloninë si vend testimi dhe montimi për gjysmëpërçuesit, një investim me vlerë 4.6 miliardë dollarë. Kompania pritet të investojë 30 miliardë euro në një fabrikë të re të çipave në qytetin gjerman të Magdeburgut, e mbështetur nga 10 miliardë euro subvencione nga Berlini.
Dorian Koça/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.