Përmirësimi i infrastrukturës kabllore nën det – Ndihmat financiare për procesin duhet të jenë shtetërore
Europa duhet të marrë masa për të ndërtuar, ose përmirësuar infrastrukturën e saj kabllore nën det dhe me ndihmën shtetërore nëse është e nevojshme, sipas një propozimi të Komisionit Europian, duke nënvizuar shqetësimet në lidhje me dobësitë e ekspozuara nga dëmtimi i dy kabllove të telekomunikacionit të Detit Baltik vitin e kaluar.
Infrastrukturat kabllore nën det, të cilat formojnë shtyllën kurrizore të internetit duke bartur më shumë se 97% të trafikut të të dhënave në botë, janë bërë pika më e fundit e tensioneve midis vendeve mes pasigurive dhe konflikteve gjeopolitike në rritje.
Shqetësime të tilla kanë shtyrë ekzekutivin e BE të dalë me një udhërrëfyes duke përfshirë masat për të mbrojtur dhe siguruar kabllot nënujore të bllokut, sipas propozimit.
Ky rekomandim synon të inkurajojë vendosjen ose përmirësimin e rëndësishëm të infrastrukturës kabllore nën det nëpërmjet CPEI-ve (projekteve kabllore me interes europian) në përputhje me ligjin e BE-së, duke përfshirë rregullat e ndihmës shtetërore.
Dokumenti thotë se financimi mund të vijë nga programet e BE-së, Banka Europiane e Investimeve, Bankat Kombëtare Promovuese, institucione të tjera financiare zhvillimore dhe publike, institucionet financiare të sektorit privat dhe investitorët e sektorit privat, si dhe fondet e kapitalit.
Dokumenti propozoi një grup ekspertësh për të ndihmuar komisionin të dalë me një listë të CPEI-ve strategjike, të lehtësojë shkëmbimin e informacionit midis vendeve të BE-së dhe të vlerësojë rreziqet, dobësitë dhe varësitë e infrastrukturës kabllore nën det, si dhe të propozojë masa lehtësuese. Ky rekomandim fton vendet anëtare të miratojnë masa për të siguruar që operatorët e infrastrukturës kabllore nëndetëse të përmbushin standardet më të larta të sigurisë.
Një tubacion gazi që lidh Estoninë me Finlandën dhe disa kabllo telekomunikacioni u dëmtuan vitin e kaluar kur një anije tërhoqi spirancën e saj përgjatë shtratit të detit. Kjo pasoi shpërthimet një vit më parë që dëmtuan tubacionet Nord Stream nën Detin Baltik.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.