Problemet me garat e tenderëve – Në 10 muaj, 654 ankesa nga bizneset. Dominojnë kontestimet për vlerësimin e ofertave
654 ankesa janë depozituar pranë Komisionit të Prokurimit Publik për kontestime në drejtim të hartimit të kritereve dhe dokumenteve të tenderit apo në vlerësimin e ofertave nga ana e institucioneve publike.
Shifrat i përkasin periudhës janar – tetor të këtij viti, ndërkohë që sipas të dhënave të përpunuara nga TV SCAN numri i ankesave gjatë fazës së vlerësimit të ofertave dominon, kundrejt atyre të depozituara për kundërshtime mbi dokumentet e tenderit.
Përgjatë periudhës 10-mujore, 60.5% e ankesave janë depozituar pikërisht pët të kundërshtuar vlerësimin për shpalljen e kompanisë fituese, ndërkohë që pjesa tjetër prej 39.5% janë ankesa për dokumentet standarde të tenderit. Më konkretisht, përgjatë 10 – mujorit janë depozituar 258 ankesa për dokumentet standarde të tenderit dhe 396 ankesa për vlerësimin e ofertave, teksa vetëm përgjatë muajit tetor u regjistruan në total 60 ankesa.
Ndërkaq, referuar vendimmarrjeve të Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se një pjesë e madhe e tyre janë pranuar, duke iu dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vendosjes së kritereve për të marrë pjesë apo për t’u kualifikuar në një tender për punë, mallra apo shërbime.
Po ashtu, kjo nënkupton se institucionet shtetërore, nuk kanë ndjekur hapat e duhur ligjorë në drejtim të hartimin të kritereve të tenderit. Ndërkaq, nuk mungojnë as rastet kur Komisioni i Prokurimit Publik iu ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, në drejtim të vlerësimit të ofertave, duke pranuar ankesat e tyre.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.