“Prodhimet shqiptare të kërkuara në tregun amerikan” – Diplomati Bimo: Sherebela e çaji zotërojnë tregun, të rrisim cilësinë
Vizitën e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, diplomati dhe ish-ambsadori i parë i Shqipërisë në SHBA pas ndërrimit të sistemeve Roland Bimo, e ka cilësuar mjaft të rëndësishëm si në aspektin gjeopolitik dhe integrimin e vendit, por edhe atë ekonomik. I ftuar në SCAN tv, Bimo ka thënë se diplomacia ekonomike kërkon bashkërendim të punës mes institucioneve dhe se Shqipëria duhet të sfidojë tregun me cilësi. Kjo është parë sipas tij edhe me eksportin e bimëve medicinale ku Sherebela, “made in Albania” zotëron tregun amerikan.
“ Të penetrosh në tregun amerikan, ndonëse duket shumë e lehtë, kur vjen puna për prodhimet tona qofshin bujqësore apo industriale, mua më duket se biznesi shqiptar me gjithë hapat gjigand në 30 vite, kur vjen puna për çarjen e tregjeve të rinj, do të duhet të ketë më shumë mbështetje. Diplomacia ekonomike është një term që kërkon më shumë bashkërendim pune të institucioneve për të njohur tregjet, sepse jam i sigurt që në Amerikë çfarëdo që të prodhojmë ne, që nga sherebela, çaji etj, gjithçka shitet’’, ka thënë Bimo.
Bimo ka vlerësuar përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, e cila ka bërë që të rriten investimet e huaja.
“Gjithmonë ka shumë punë për të bërë dhe sidomos duhet të jemi të kujdesshëm ndaj vrejtjeve që vijnë nga komunitet e bizneseve”, ka shtuar diplomati.
Diplomati Bimo ka komentuar dhe ndërtimin e bazës ajrore në Kuçovë, e cila pritet të përurohet në muajin e ardhshëm e njoftuar nga zyrtari i lartë amerikan gjatë vizitës në vendin tonë.
“Sigurisht na ndihmon për të rritur sigurinë e vendit, sepse kemi një element sigurie më shumë. Unë besoj fort se na ndihmon për të fuqizuar kapacitetet tona mbrojtëse si organizative, teknike, ushtarake, logjistike, është një stad tjetër në interoperativitetin e Shqipërisë me NATO-n”, thekson Bimo.
Sa i takon marrëveshjes për emigrantët me Italinë, Bimo thotë për SCAN se edhe pse është një temë sensitive s’duhet të harrojmë dhe aspektin human për shkak të ndjeshmërisë dhe eksodit shqiptar.
Alida Lula / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.