Protestat e fermerëve, shënohet fitorja e parë – Von der Leyen: Do japim stimuj me subvencione!
Në seancën plenare të Parlamentit Europian, kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen, deklaroi se do të propozojë “tërheqjen” e rregullores për pesticidet. Rregullorja në fjalë “është kthyer në një simbol polarizimi”, shpjegoi ajo, duke theksuar se në të ardhmen do të bëhet një propozim i ri, më i pjekur. Ajo shtoi se fermerët meritojnë të dëgjohen.
Von der Leyen pranoi se fermerët kanë nevojë për një mundësi më të mirë biznesi, për masat për përmirësimin e natyrës dhe ndoshta deri tani një pikë e tillë nuk është arritur në mënyrë bindëse. Për këtë arsye ajo propozoi një nxitje reale që shkon përtej humbjes së thjeshtë të rendimentit. Subvencionet, sipas saj, mund të ofrojnë stimuj të tillë.
Çështja në fjalë që ka nxitur protesta të mijëra fermerëve në të gjithë Europën vazhdon të shkaktojë lëkundje në Bashkimin Europian. Ursula von der Leyen gjithashtu iu referua nisjes së dialogut strategjik për të ardhmen e sektorit bujqësor.
Pak ditë pas mbërritjes së traktorëve në rrugët e Brukselit, si dhe incidenteve jashtë Parlamentit Europian, presidentja e Komisionit iu referua rolit të rëndësishëm të sektorit të bujqësisë. Ajo vuri në dukje vështirësitë me të cilat përballet sektori dhe theksoi se fermerët janë të parët që ndjejnë efektet e ndryshimeve klimatike, duke u përballur ndër të tjera me përmbytjet dhe thatësirën.
Shumë prej tyre ndihen të braktisur, pasi janë të parët që ndjejnë ndikimin e luftës në Ukrainë, inflacionin, koston në rritje të energjisë dhe plehrave kimike. “Megjithatë, ata punojnë shumë çdo ditë, për të prodhuar ushqimin cilësor që konsumohet, dhe për këtë, ne u detyrohemi atyre vlerësim, falënderim dhe respekt, përfundoi von der Leyen.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.