Putin merr një fitore të thellë dhe të pritshme – “Doja ta liroja Navalny. Gati të bisedojmë me Kievin!”
Presidenti rus Vladimir Putin, mori mandatin e tij të pestë dhe në fjalimin e fitores dha mesazhe të ndryshme. Ai premtoi se Rusia do të jetë më e fortë, duke falenderuar popullin e tij për besimin e rinovuar dhe duke paralajmëruar kundërshtarët e tij dhe NATO-n. Për sa i përket besimit total të votuesve, Putin mori 90% të mbështetjes.
Askush nuk do të na frikësojë apo shtypë, premton lideri i Kremlinit duke shtuar se vendi do të bëhet dhe më i fortë. Kjo pasi rezultati i zgjedhjeve tregon se Rusia është një familje e madhe. Presidenti rus iu referua jo vetëm Ukrainës dhe aelatëve perëndimorë por dhe opozitës brenda vendit.
Në të njëjtën kohë u shënuan dhe raste të anulimit të fletëve të votimit në shenjë proteste kundër regjimit. Në fjalën e tij të fitores përballë mbështetësve. Putin falenderoi në mënyrë të vecantë ushtarët që po luftojnë në Ukrainë prej më shumë se dy vitesh. Ai u shprej se ata kanë detyrën më të rëndësishme – atë të mbrojtjes së popullit rus.
Por nuk mungoi dhe një mesazh drejtpërdrejtë për ata që sfidojnë Rusinë: “Nuk ka rëndësi se sa janë përpjekur të na trembin, të shtypin vullnetin tonë., ndërgjegjen tonë, askush nuk ia ka dalë. Kanë dështuar deri tani dhe do të dështojnë dhe në të ardhmen”. Një konflikt me NATO-n do të çonte “një hap larg Luftës së Tretë Botërore”, paralajmëroi edhe një herë Putin.
Ish-koloneli i KGB-së, i cili erdhi në pushtet në vitin 1999 dhe tani është 71 vjeç, çuditërisht iu referua Alexei Navalny, kundërshtari i tij kryesor që vdiq më 16 shkurt në një koloni penale siberiane pas vitesh persekutimi politik, të cilit ai thotë se ai do të kishte dhënë lirinë me dëshirë.
“Do ta kishim shkëmbyer me disa të burgosur të mbajtur në Perëndim, por me kusht që të mos kthehej në Rusi”, deklaroi Putin në komentin e parë për vdekjen e disidentit. Të dhënat zyrtare vlerësojnë një pjesëmarrje në votime mbi 73 për qind, krahasuar me gjashtë vjet më parë, falë edhe futjes së votimit elektronik.
Nga Kievi, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se zgjedhjet ruse nuk kanë legjitimitet dhe se Putin është një njeri i sëmurë për pushtet që dëshiron të mbretërojë përgjithmonë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.