Rënia e eksporteve dhe e inventarëve rëndojnë mbi ekonominë e eurozonës!
Ekonomia e eurozonës u tkurr lehtë në tremujorin e tretë të 2023, nën presion nga ndryshimi i niveleve të inventarit, si dhe nga ndjenja më e dobët ekonomike. Vlerësimi i tretë për normën tremujore të rritjes së produktit të brendshëm bruto (PBB) të eurozonës për tremujorin e tretë 2023 erdhi të enjten në mëngjes, duke arritur në -0.1%. Kjo ishte më e ulët se 0.1% e tremujorit të dytë, por ishte në përputhje me vlerësimet e analistëve.
Vlerësimi i tretë për PBB-në e eurozonës nga viti në vit erdhi gjithashtu në 0%, një rënie mjaft e madhe nga 0.6% e tremujorit të tretë 2022, si dhe vlerësimet e analistëve prej 0.1%. Kjo ishte rënia e parë e PBB-së që nga tremujori i fundit i vitit 2022 dhe u ndikua më tej nga shpenzimet fikse që mbetën kryesisht të sheshta. Eksportet ranë me 1.1%, ndërkohë që edhe importet u ulën me 1.2%. Megjithatë, familjet shpenzuan më shumë, me rritje të konsumit me 0.3%. Shpenzimet publike gjithashtu u rritën me 0.3%, nga 0.2% në tremujorin e fundit.
Malta pa kërcimin më të madh të PBB-së nga tremujori i dytë, me 2.4%, e ndjekur nga Polonia me 1.5% dhe Qiproja me 1.1%. Rënia më e thellë u pa në Irlandë, e cila u fundos -1.9%, e ndjekur nga Estonia me -1.3% dhe Finlanda me -0.9%. Ekonomia e Italisë u rrit me 0.1%, ndërsa Spanja u zgjerua me 0.3%. Megjithatë, ekonomia e Francës ra -0.1%, dhe Gjermania ndoqi shembullin, me një rënie -0.1% gjithashtu. Holanda gjithashtu pa një tkurrje -0.2% në tremujorin e tretë 2023.
Përpara publikimit të PBB-së së eurozonës, çifti EUR/USD u ngjit në rreth 1,0770, me një rritje prej 0.08%, megjithatë, ky fitim mund të jetë jetëshkurtër, pasi kërkesa për dollarin amerikan është në rritje, veçanërisht tani që eurozona të dhënat kanë ardhur më të dobëta se sa pritej. Megjithatë, punësimi si në eurozonë ashtu edhe në BE u rrit me 0.2%, krahasuar me 0.1% në tremujorin e fundit.
Lituania dhe Malta panë rritjen më të madhe të punësimit, me 1.4%, e ndjekur nga Spanja me 1.3%. Estonia pa rënien më të madhe të punësimit, me -0.9%, me Republikën Çeke që ra -0.7% dhe Finlanda gjithashtu ra -0.6%. Megjithatë, treguesit e ardhshëm të inflacionit dhe reagimet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe vendimet e ardhshme të normave të interesit, do të jenë vendimtare në përcaktimin e numrave të PBB-së për tremujorin e fundit të vitit.
Anëtarët e Bordit të BQE-së si Isabel Schnabel kanë qenë shumë të zëshëm në lidhje me nevojën e bankës qendrore për të mbajtur më shumë rritje të normave të interesit si opsion, në rast se inflacioni nuk kthehet mjaftueshëm shpejt në objektivin prej 2%. Megjithatë, me raportet e fundit të inflacionit që kanë rënë disi, ky qëndrim i ashpër mund të ndryshojë së shpejti.
S&P Global ka theksuar gjithashtu se e sheh ekonominë e eurozonës drejt një uljeje të butë në vitin e ardhshëm, gjë që mund të nënkuptojë se BQE mund të fillojë të ulë normat më herët se sa pritej, nëse vazhdon ky trend i uljes së inflacionit.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.