Rikthimi i madh i Mario Draghi – Objektivi: Rritja e konkurencës, tranzicioni i gjelbër dhe teknologjitë e reja
Ai i Mario Draghit në Bashkimin Europian konsiderohet si një rikthim i madh. Roli i tij do të përqendrohet në rritjen e konkurencës, kalimin në ekonominë e gjelnër dhe zhvillimi i teknologjive të reja. Emri i 76-vjeçarit Draghi është dëgjuar edhe për presidencën e Komisionit në prag të zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor
Ish-presidenti i Bankës Qendrore Europiane dhe ish-kryeministri i Italisë, Mario Draghi, po i rikthehet skenës europiane, në kuadër të përpjekjeve të Komisionit për rritjen e konkurrencës së BE-së, kalimin në një ekonomi më të gjelbër dhe zhvillimin e teknologjive të reja.
“Super Mario”, siç njihej Draghi gjatë mandatit të tij në BQE, tashmë do të punojë me ministrat e financave të Bashkimit Europian – Ecofin për këto çështje pas një nisme të vetë Komisionit. Presidentja e BE-së Ursula von der Leyen e zgjodhi atë duke i kërkuar të bënte propozime specifike në lidhje me zhvillimin e konkurrencës së ekonomisë europiane, veçanërisht përballë sfidave të mëdha që vijnë nga SHBA-ja dhe Kina.
Emri i 76-vjeçarit Draghi është dëgjuar edhe për presidencën e Komisionit në prag të zgjedhjeve europiane që do të mbahen në qershor, ku thuhet se ai ka deklaruar se nuk do të ishte i interesuar të merrte një rol në institucionet e BE-së. Megjithatë, burime të Reuters nga Italia bëjnë të ditur se ai nuk do të tërhiqej nëse do të kishte një marrëveshje shumëpalëshe dhe konsensus të institucioneve për kandidimin e tij.
Emri i tij është dëgjuar edhe për presidencën e Këshillit Europian pasi Charles Michel ka bërë të ditur se do të jetë kandidat në zgjedhjet europiane dhe tani është në kërkim të zëvendësit të tij për këtë post.
Draghi, i cili pasi shërbeu në BQE nga viti 2011 në 2019 mori postin e kryeministrit të qeverisë së koalicionit të gjerë të Italisë nga viti 2021 deri në 2022, do të diskutojë me ministrat e financave hapat e nevojshëm për të nxitur investimet publike dhe private, sipas burimeve të cituara nga Reuters. Tashmë për këtë qëllim ai dyshohet se ka pasur kontakte në Milano me biznesmenë të ndryshëm muajin e kaluar. Raporti që ai do të paraqesë përfshin propozime specifike dhe pritet të bëhet publik deri në fund të qershorit.
Gjatë kësaj kohe, Europa po përballet me shumë sfida. SHBA po rrit vazhdimisht konkurencën e saj sidomos me legjislacion të veçantë që ofron stimuj të mëdhenj për kompanitë e të gjitha llojeve për të investuar atje, duke “vjedhur” fonde nga BE-ja.
Kina, nga ana e saj, nuk është tërhequr kurrë nga synimi i saj për t’u bërë një superfuqi edhe më e fortë dhe ka tentuar disa herë të blejë kompani europiane të teknologjisë së lartë.
Gjithashtu gjatë kësaj kohe ka nisur një garë për zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale dhe SHBA-ja ka epërsinë përmes kompanive gjigante si Microsoft, Alphabet e të tjera. Europa gjithashtu varet nga teknologjitë e tjera, si mikroçipet, nga kompanitë aziatike duke përfshirë Kinën dhe Korenë e Jugut.
Në të njëjtën kohë, Europa përballet me sfidën e madhe për të ecur drejt një ekonomie me emetim neto zero në dekadat e ardhshme, e cila kërkon ndryshime të mëdha veçanërisht në sektorët e energjisë dhe prodhimit.
Sfidat për Evropën në sektorin e energjisë janë të veçanta. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ekspozoi varësinë e BE-së nga gazi natyror i importuar, duke nxitur grupet industriale të kontinentit të zhvendosin prodhimin diku tjetër. Kjo vjen pavarësisht nga përpjekjet e bllokut për të kaluar në furnizues të tjerë të gazit dhe naftës. Në të njëjtën kohë, ndërsa kriza energjetike ka nxitur investimet në burimet e rinovueshme, ky tranzicion pritet të zgjasë dekada.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.