Sa bono e obligacione do emetohen në 2023? – Zbardhet kalendari 380 miliardë lekë letra me vlerë në total, pjesa dërrmuese 12-mujore. Shkurti, muaji më intensiv
Qeveria ka planifikuar të marrë rreth 380 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm në formën e bonove të thesarit e obligacioneve për vitin 2023. Por cilat do jenë instrumentet përmes të cilave do të merret ky borxh dhe si do jetë shpërndarja e tyre. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë pritet të jetë bono e thesarit 12-mujore. Pjesa dërrmuese pra e borxhit të brendshëm, rreth 224.5 miliardë lekë do merret përmes bonove të thesarit me afat maturimi 12 mujor. Instrumenti i dytë për nga pesha në totalin e huamarrjes do te jenë obligacionet me afat maturimi dy vjeccar, përmes të cilave do merret një total borxhi prej rreth 42 miliardë lekësh. Obligacionet me afat maturimi 5 vjeccar do jenë në vendin e tretë për peshën në totalin e huamarjes qeveritare me 27 miliardë lekë, ndërkohë që më të ulëta do të jenë emetimet në terma më të gjata kohore.
Sa i përket instrumenteve afatshkurtëra, emetimet e bonove të thesarit me afat maturimi tremujor dhe gjashtëmujor do jenë përkatësisht 12.5 dhe 13 miliardë lekë.
Sa i përket shpërndarjes së ankandeve, tremujori me emetime më të larta pritet të jetë tremujori i parë. Muaji shkurt do jetë muaji me vlerën më të lartë të emetimeve, kur Qeveria do kërokjë të marrë rreth 48 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm. I dyti në kalendar rezulton muaji mars, kur Qeveria planifikon të emetojë një total prej 38 miliardë lekësh në formën e bonove të thesarit e obligacioneve. Prilli e maji do jenë gjithashtu muaj me vlera të lartë emetimesh mbi kuotën e 30 miliardë lekëve. Gjithë pjesa tjetër e vitit parashikohet me emetime mes kuotave 27 miliardë dhe 29 miliardë lekë.
Lorenc Rabeta / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.