Eurostar braktiset nga pasagjerët – Qindra vende bosh në itinerarin Londër – Paris
Qindra vende në trenat e Eurostar midis Londrës dhe Parisit janë duke u boshatisur për shkak të Brexit dhe mungesës së stafit. Shefja ekzekutive e kompanisë, tha se kontrollet kufitare pas Brexit po krijojnë bllokime në stacione. Kompania është detyruar të kufizojë shitjet e biletave midis dy kryeqyteteve për të shmangur radhët e gjata dhe vonesat.
Kontrollet kufitare pas Brexit nënkuptojnë se të gjithë pasagjerët duhet t’i kenë të vulosura pasaportat e tyre – edhe kur përdorin eGates. Por mungesa e personelit kufitar për të kryer këto kontrolle përbën problem. Koha që duhet për të përpunuar të dhënat e pasagjerëve që nisen nga stacioni St Pancras i Londrës është rritur me 30 % për shkak të pandemisë COVID-19 dhe Brexit.
Nëse linjat e para nuk nisen në kohë, mund të shkaktojë vonesa të pakontrollueshme gjatë gjithë pjesës tjetër të ditës. Nëse vonohet treni i parë, atëherë vonon të dytin dhe situata që krijohet është një përvojë shumë e keqe për klientin.
Treni i parë i ditës mes Londrës dhe Parisit ka kapacitetin për të transportuar 900 pasagjerë. Eurostar duhet të kufizojë shitjet e biletave në 550, që do të thotë se 350 vende mbeten të pashitura.
Kushtet e kufizuara në stacionin qendror të Amsterdamit nënkuptojnë se problemi atje është edhe më i rëndëkeq. Vetëm të dhënat e rreth 200 pasagjerëve mund të përpunohen përpara nisjes për në Londër.
Pasagjerët këshillohen të mbërrijnë 90 minuta përpara nisjes së trenit të tyre – tre herë më shumë kohë se para pandemisë – për të lënë kohë të mjaftueshme për të kaluar kontrollin e pasaportave. Deri në rregullimin e vonesave në kufi nuk ka rrugë alternative të Eurostar.
Fokusi kryesor i kompanisë, është rregullimi i kësaj çështjeje madhore përpara se të shqyrtohet se çfarë do të bëjë në të ardhmen për këto lloj destinacionesh.
Eurostar ndërkohë prezantoi markën e saj të re pas një bashkimi me operatorin francez-belg të trenit të shpejtësisë së lartë Thalys, duke thënë se shpreson të transportojë 30 milionë pasagjerë në vit deri në vitin 2030.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.