Sa do të jetë bonusi për shtresat në nevojë dhe punonjësit e administratës? Detajet
Ministri Mete gjatë fjalës së tij shpjegoi më konkretisht se shpërblimi apo bonusi i fund vitit është në të njëjtën masë që iu dha pensionistëve, ndërsa për disa kategori të posaçme të cilat kanë përfituar aktualisht, siç kanë qenë invalidët e punës apo përfitues të pensioneve familjare, praktikisht tani dyfishohet masa.
Ai shtoi se edhe brenda kategorive që mbështeten me këtë akt normativ, për kategori të posaçme siç janë p.sh familjet me ndihmë ekonomike, por me fëmijë, edhe ata marrin dyfishin e masës, që do të thotë marrin 10 mijë lekë të reja. Ndërkohë, për punonjësit e administratës të cilët kanë qenë të përfshirë në procesin e screening dhe takimet bilaterale, do të jetë një pagë shpërblim.
“Si çdo fundvit, në varësi të ecurisë së investimeve apo projekteve, ne optimizojmë apo përpiqemi të optimizojmë shpenzimet dhe praktikisht rialokimet bëhen nga projekte të huaja apo të brendshëm që për shkak të ecurisë vlerësohet që është më efektive të riaolokohen në projekte me ecuri më pozitive.
Dua të theksoj edhe që, siç besoj jeni në dijeni, ecuria e të ardhurave gjatë këtij viti ka qenë pozitive dhe ne në rishikimin e kaluar, në tetor, patëm një projeksion në rritje të të ardhurave dhe përgjithësisht drejt realizimit të atij projeksioni të të ardhurave duke synuar që, dhe besoj që kjo është e rëndësishme pavarësisht aktit normativ, që të mos ketë në tatime asnjë rimbursim TVSH-je të mbetur për vitin vjetër. Pra, të mos ketë asnjë, madje të përshpejtohen rimbursimet e TVSH-së, të realizohen të ardhurat dhe të mund edhe të rialokohen shpenzimet për tu optimizuar” tha Mete.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.