Sa do t’i kushtonte BE-së anëtarësimi i Ukrainës? – Do të paguante 136 miliardë euro, sa 0.13% të PBB së bllokut
Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në Bashkimin Evropian mund të ketë një ndikim prej 110 miliardë deri në 136 miliardë euro në buxhetin shtatëvjeçar të bllokut, sipas një raporti të ri nga instituti i ekspertëve Bruegel. Kjo do të përfaqësonte 0.10% dhe 0.13% të produktit të brendshëm bruto të BE-së.
Projeksioni përdor rregullat ekzistuese dhe hartimin e buxhetit 2021-2027 për të nxjerrë një përfundim se sa para do të kishte kombi i shkatërruar nga lufta pas marrjes së anëtarësimit të lakmuar. Ukraina u shpall për herë të parë kandidate në qershor 2022 dhe iu dha drita e gjelbër për negociatat e anëtarësimit në dhjetor 2023.
Gjetjet përjashtojnë kostot e mëdha të rindërtimit, të vlerësuara të paktën 450 miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme dhe supozojnë se Ukraina do të rifitonte përfundimisht të gjitha territoret në Lindje që trupat ruse kanë pushtuar.
Sipas parashikimeve të Bruegel-it, Kievi do të kishte të drejtë të përfitonte 85 miliardë euro nga Politika e Përbashkët Bujqësore, fond masiv i subvencioneve të bllokut për fermerët. Ndërsa programi është shtrirë sipas hektarëve në tokë bujqësore, Ukraina, me sektorin e saj të fuqishëm bujqësor, do të bëhej përfituesi më i madh.
32 miliardë euro nga Politika e Kohezionit, e cila financon projekte zhvillimi. Shpërndarja e fondeve të kohezionit është e kufizuar në 2.3% të PBB-së së një shteti anëtar. Pa këtë kufi, Ukraina do të kishte të drejtë për rreth 190 miliardë euro, gjashtë herë më shumë. Si dhe 7 miliardë euro nga programe të tjera.
Në total, Ukraina do të merrte afërsisht 136 miliardë euro – me çmimet aktuale, gjatë një periudhe buxhetore shtatëvjeçare. Kjo është shumë më e ulët se 186 miliardë euro që raportoi Financial Times në tetor bazuar në një studim të zbuluar të hartuar nga Këshilli i BE-së.
Megjithatë, nëse vendi nuk arrin të rifitojë lindjen e pushtuar dhe pëson një reduktim të përhershëm të territorit, popullsisë dhe burimeve ekonomike, Bruegel vlerëson se shuma do të ulet në 110 miliardë euro.
Anëtarësimi i Ukrainës nuk do të ndryshonte raportin midis paguesve neto dhe përfituesve neto të buxhetit të BE-së, por megjithatë do të shkaktonte një riorganizim të prekshëm të alokimeve buxhetore. Edhe nëse vendi do të krijonte një rimëkëmbje të fuqishme pas luftës, ai do të mbetej dukshëm më i varfër se shteti më i varfër i BE-së, Bullgaria, dhe ndoshta se ato në Ballkanin Perëndimor.
Si rezultat, PBB-ja për frymë e BE-së do të tkurret, duke shkaktuar ndryshime në sasinë e fondeve të kohezionit që shpërndahen në çdo rajon të pranueshëm. Për më tepër, hendeku i pasurisë mund të stimulojë një eksod prej tre deri në gjashtë milionë ukrainas drejt kombeve të tjera europiane në kërkim të pagave më të larta dhe sigurisë së punës.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.