Sekuestrimet e mjeteve ruse, në dëm të amerikanëve – Taksapaguesit shpenzojnë 1 milion dollarë në muaj për jahtin e oligarkut
Një mega-jaht i sekuestruar nga autoritetet amerikane i një oligarku rus po i kushton qeverisë gati 1 milion dollarë në muaj për të mirëmbajtur, sipas të dhënave të dosjeve gjyqësore. Departamenti Amerikan i Drejtësisë po kërkon leje për të nxjerrë në shitje një jaht 106 metra të quajtur ‘Amadea’, të cilin e sekuestroi në vitin 2022, me pretendimin se ishte në pronësi të miliarderit rus të sanksionuar, Suleiman Kerimov.
Qeveria tha se dëshiron të shesë jahtin prej 230 milionë dollarësh për shkak të “kostove të tepërta” të mirëmbajtjes dhe ekuipazhit, të cilat sipas saj mund të arrijnë në 922.000 dollarë në muaj. Në dosje shkruhet se është e tepërt që taksapaguesit të paguajnë gati një milion dollarë në muaj për të mirëmbajtur Amadea-n, kur këto shpenzime mund të reduktohen në zero përmes shitjes.
Tarifat mujore për ‘Amadea’, e cila tani është ankoruar në San Diego, Kaliforni, përfshijnë 600.000 dollarë në muaj në kostot e funksionimit: 360.000 dollarë për ekuipazhin; 75.000 dollarë për karburant; dhe 165.000 dollarë për mirëmbajtjen, heqjen e mbeturinave, ushqimin dhe shpenzime të tjera. Ato përfshijnë gjithashtu 144.000 dollarë në kostot mujore të sigurimit proporcional dhe tarifa speciale, duke e çuar totalin në 922.000 dollarë.
Beteja për ‘Amadea’-n dhe kostot për qeverinë nxjerrin në pah sfidat financiare dhe ligjore të kapjes dhe shitjes së aseteve në pronësi të oligarkëve rusë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha javën e kaluar se Bashkimi Europian duhet të përdorë fitimet nga më shumë se 200 miliardë dollarë të aseteve të ngrira ruse për të financuar përpjekjet luftarake të Ukrainës.
Komentet e saj i bënë jehonë thirrjeve të qeverisë në pranverën e vitit 2022 për të bllokuar jahtet, avionët privatë dhe pallatet e miliarderëve rusë me shpresën për të ushtruar presion mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe për të mbledhur para për luftën e ukrainasve. Megjithatë, gati dy vjet më vonë, procesi ligjor për të vërtetuar pronësinë e aseteve ruse dhe shitjen e tyre ka rezultuar të jetë shumë më i kushtueshëm.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.