Sa po ndikojnë kostot e ndërtimit në shtrenjtimin e banesave? – Analiza/ Kompanitë po shpenzojnë më shumë për energjinë, pagat dhe transportin
Vitet e fundit, sektori i pasurive të paluajtshme ka njohur një rritje të fortë çmimesh. Apartamentet janë bërë gjithnjë e më të kushtueshme, edhe pse sipërfaqet e ndërtimit janë shtuar ndjeshëm. Një faktor që po ndikon në këtë rritje është edhe rritja e kostos së lëndëve të para, krahut të punës, transportit etj.
Por sa kanë ndikuar kostot e ndërtimit, në rritjen e fortë që po njeh sektori I pasurive të paluajtshme?
Që nga tremujori i fundit i vitit 2020, kostot e ndërtimit kanë njohur një rritje progresive, çka është reflektuar më pas edhe në shtrenjtimin e apartamenteve dhe ndërtesave të tjera. Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt të vitit 2023 arriti në 114,8 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Në terma tremujorë themi se ky tregues u rrit me 0,7 %.
Rritja e Indeksit të Kushtimit në Ndërtim ka ardhur si pasojë e rritjes së shpenzimeve për energji elektrike, paga dhe transporti. Ndikimin më të madh e ka energjia elektrike, e ndjekur nga dy zëra të tjerë shpenzimesh; pagat dhe transporti me përkatësisht 1 % secili.
“Scan Intel’’ ka analizuar të dhënat e INSTAT për të kuptuar ecurinë vjetore të kostove të ndërtimit. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, vëmë re një shtrenjtim të kostos totale të ndërtimit të banesave me 4.1% për shkak të rritjes së çmimeve në elementët përbërës të kostos, siç janë energjia elektrike, pagat e punonjësve dhe transporti. Rikujtojmë që kostot e transportit janë rritur për shkak të rritjes së çmimeve të lëndëve djegëse, si nafta dhe benzina, të cilat vijojnë të tregtohen shtrenjtë.
Në terma vjetorë themi se energjia elektrike u rrit me 9%, ndërsa shpenzimet për paga dhe transport u rritën me 4.5% dhe 3.9% respektivisht. Po ashtu është reflektuar rritje edhe në shpenzimet materiale ku rritja më e lartë i atribuohet materialeve hidrosanitare me 4.4%, ndërsa materialet e ndërtimit u rritën me 3.4%, ndërsa ato elektrike me 2.1%.
Armela Duka/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.