SHBA rinovon, Kina riprodhon, Europa …rregullon – Kornizat e rrepta rregullatore frenojnë zhvillimin e BE
Këto janë kohë të vështira për Europën. Kontinenti i Vjetër i shpëtoi mrekullisht recesionit në fund të vitit të kaluar pasi ekonomia amerikane u rrit më shpejt se sa pritej. Në të njëjtën kohë, ai po humbet përballë SHBA-së në fushën e inteligjencës artificiale dhe me Kinën në atë të automjeteve elektrike. Megjithatë, ekziston një fushë në të cilën ajo ende udhëheq botën: rregullat.
Duke vendosur kuadrin për rregullimin e bashkimeve, emetimeve të karbonit, privatësisë së të dhënave dhe konkurrencës në tregtinë elektronike, BE-ja tani po i drejtohet inteligjencës artificiale. Në dhjetor, u prezantua një projekt-ligj gjithëpërfshirës që ndalon disa lloje të IA, rregullon të tjerët dhe vendos gjoba për shkelësit. Komisioni Europian mund të hetojë marrëdhëniet e Microsoft me OpenAI si potencialisht të dëmshme për konkurrencën.
Teknokratët e Brukselit sigurisht që nuk janë kundër tregut të lirë. Përkundrazi: ata ende besojnë në tregtinë e lirë, ndryshe nga SHBA apo Kina. Pjesa më e madhe e legjislacionit të tyre synon të mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën nga ndërhyrja e qeverive kombëtare. Megjithatë, ekziston një teori e shkëmbimit ndërmjet mbrojtjes së konsumatorit dhe motivit të fitimit që drejton investimet dhe inovacionin, dhe BE-ja mund të jetë duke e keqinterpretuar atë.
Për shembull, për të ruajtur konkurencën, rregullatorët europianë i kanë rezistuar bashkimeve që lënë vetëm disa operatorë celularë për treg. Si rezultat, Europa tani ka 43 grupe që operojnë me 102 operatorë celularë që i shërbejnë një popullsie prej 474 milionë banorësh, ndërsa SHBA-ja ka tre rrjete kryesore që i shërbejnë një popullsie prej 335 milionë banorësh, sipas konsulentit të telekomunikacionit John Strand. Si rezultat, klientët europianë të kopmpanive të celularëve paguajnë vetëm rreth 1/3 e asaj që paguajnë amerikanët.
Kjo ka një ndikim negativ në sektorin e teknologjisë europiane. Shitjet e prodhuesit suedez të pajisjeve të telekomunikacionit Ericsson në Europë po vuajnë pjesërisht sepse shumë operatorë janë shumë të vegjël dhe joprofitabël për t’u përmirësuar në rrjetet më të fundit 5G. Natyrisht, ekonomia e Europës është e dobët për shumë arsye të tjera, nga demografia te kostot e energjisë – nuk është vetëm kuadri i shtrënguar rregullator që duhet fajësuar. Dhe rregullatorët amerikanë nuk janë indiferentë.
Megjithatë, ata priren të veprojnë sipas provave, ndërsa Europa vepron sipas probabilitetit të thjeshtë. Ky parim parandalues mund të mbysë novacionin që në djep. Historia mund të përsëritet me inteligjencën artificiale. Që nga viti 2021, marrëveshjet e kapitalit të sipërmarrjes të lidhura me IA kanë mbledhur 44 miliardë dollarë në Europë, një shumë e ngjashme me Kinën, por vetëm 1/4 e shumës së SHBA-së, sipas PitchBook, dhe hendeku po rritet.
Ndërsa SHBA dhe Kina vënë më shumë theksin në konkurencën teknologjike me njëra-tjetrën, Europa rrezikon të bjerë edhe më mbrapa. Nëse Europa do të konkurrojë me SHBA-në dhe Kinën, ajo do të duhet të rimendojë ekuilibrin e saj midis rregullimit dhe inovacionit.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.