Shitjet e shampanjës po “lulëzojnë” – Por, shija së shpejti mund të ndryshojë falë ndryshimeve klimatike
Temperaturat në rritje në Europë dhe moti gjithnjë e më i paqëndrueshëm po ngjallin frikën se rajoni i Shampanjës në Francë mund të bëhet i papërshtatshëm për prodhimin e pijes së tij të famshme. Më shumë se 325 milionë shishe shampanjë u eksportuan në vitin 2022, duke tejkaluar 6 miliardë euro shitje për herë të parë. Tregjet më të mëdha janë Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Japonia.
Por, prodhuesit sugjerojnë një “perspektivë të kujdesshme” për vitin 2023. Ndryshimet klimatike vënë në dyshim të ardhmen e kësaj pije dhe prodhuesit do të duhet të përshtaten për të mbijetuar, ndërsa aroma e shampanjës mund të ndryshojë.
Ekspozimi i rajonit të Shampanjës ndaj thatësirës pritet të trefishohet deri në vitin 2050, duke paraqitur probleme serioze për vreshtat. Thatësira nuk është faktori i vetëm që mund të pengojë prodhimin. Moti është gjithnjë e më i paqendrueshëm, me zjarret, përmbytjet dhe ngricat, që janë bërë më të shpeshta vitet e fundit.
Nxehtësia e lartë mund të ndryshojë aciditetin e rrushit, çka do t’i ulë shampanjës freskinë e saj. Markat ndërkombëtare janë të vetëdijshme për ndikimin e madh që mund të ketë ndryshimi i klimës në bizneset e tyre.
Rregulli më i njohur i shampanjës është se ajo duhet të prodhohet në rajonin e Shampanjës të Francës, por lista e gjatë e rregullave të emërtimit që duhet të ndiqen përfshin praktika specifike të vreshtave; sigurimi i rrushit nga vende të caktuara; metoda të veçanta të shtypjes së rrushit dhe përdorimi vetëm i varieteteve të zgjedhura të tij.
Përdorimi i pesticideve dhe acidifikimi shtesë janë të ndaluara dhe të gjitha fazat e prodhimit duhet të zhvillohen në rajonin e Shampanjës, deri në etiketimin e shishes.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.