Shqipëria ofrohet për Samitin e NATO-s në 2027. Kryeministri Rama letër falënderuese Sekretarit Blinken
Pas vizitës që Sekretari i Shtetit Amerikan Antony Blinken zhvilloi në Shqipëri më 15 shkurt, Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër mirënjohjej, në të cilën shprehet se Shqipëria mbetet e dedikuar në angazhimin në aleancën me SHBA. Po ashtu, kreu i qeverisë shpreh gatishmërinë dhe synimin që Shqipëria të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, si një vend që ka treguar gjithmonë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj unitetit dhe vlerave të Aleancës.
“Ndërsa përgatitemi për samitin e ardhshëm të NATO-s në DC, dëshiroj t’ju siguroj për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ne besojmë se është thelbësore të vazhdojmë të punojmë së bashku për të garantuar stabilitetin rajonal dhe për të zmbrapsur ndikimet e jashtme malinje, siç ndamë gjatë takimit tonë në Tiranë. Besoj se ka ardhur koha që Aleanca të thërrasë një Samit të plotë në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë ndonjëherë. Pas diskutimit tonë në Tiranë, dëshiroj të ritheksoj synimin e Shqipërisë për të pritur Samitin e NATO-s 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në vitin 2026, të cilin Turqia e ka ofruar bujarisht për të pritur” shkruhet në letrën e që kryeministri i ka dërguar Sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken.
Në letër thuhet gjithashtu se si një vend aleat, Shqipëria ka treguar gjithmonë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj unitetit dhe vlerave të Aleancës. “Duke ecur përpara për të pritur Samitin e NATO-s, ajo përsërit rolin e saj si fener i vlerave dhe qëllimit të Aleancës në këtë pjesë të Evropës. Kjo ngjarje do të ishte me rëndësi historike dhe strategjike si për rajonin ashtu edhe për Aleancën. Do të përcillte mesazhin e fortë se rajoni është i një rëndësie strategjike për Aleancën.”-thuhet në letrën e Ramës.
Elisabeta Dosku/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.