Si do të trajtohen lojtarët e basteve? – Detajet/ Kompanitë vendosin ndalesa, familjarët të drejtë kërkese
Projektligji “Për lojërat e fatit” i rishikuar së fundmi nga Ministria e Financave, i jep rëndësi të lartë sigurimit të mbrojtjes së lojtarit. Sipas dokumentit, do të krijohet regjistri elektronik i personave për të cilët është vendosur moslejimi për t’u futur në ambientet e lojërave të fatit. Ky regjistër do të jetë i aksesueshëm nga të gjithë organizatorët e lojës së kategorisë për të cilën është kërkuar ndalimi.
Aktualisht, projektligji parashikon që organizatori duhet të marrë masa të ndalojë për të luajtur në mjediset e lojërave të fatit një person, për të cilin ka një kërkesë me shkrim prej vetë lojtarit apo prej të paktën një prej familjarëve të tij, ku kërkohet moslejimi i këtij personi për të hyrë në mjediset e lojërave të fatit. Përveç kësaj, projektligji vendos edhe afate periodike 3 muaj, 6 muaj dhe 1 vit, si dhe ndalim të përhershëm.
Dokumenti i hartuar nga Ministria e Financave garanton sigurimin e mënyrës së regjistrimit të çdo lojtari që luan baste sportive online, duke pasur në kontroll çdo informacion dhe shumën e luajtur, pasi çdo lojtar duhet të regjistrohet në platformë nëpërmjet ID-së dhe të gjitha transaksionet mes tij dhe kompanisë do të kryhen nëpërmjet sistemit bankar.
Të dhënat për lojtarët, do të mbahen për tre vjet në një regjistër të posaçëm nga të gjithë organizatorët e lojërave të fatit, si masë për të kontrolluar pikërisht shumat që do mund të qarkullohen nëpërmjet këtij aktiviteti.
Projektligji gjithashtu forcon mbrojtjen e lojtarit duke detyruar organizatorët që të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku luhen lojëra fati, si dhe në website-et e tyre zyrtare sipas formatit të miratuar nga Komisioni i Licencave, informacion në lidhje me masat mbrojtëse për lojtarët, mesazhe në lidhje me luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të fatit, shanset reale për të fituar, si dhe informacionin e nevojshëm mbi strukturat që ofrojnë ndihmë në lidhje me trajtimin apo këshillimin për lojtarët apo familjarët e tyre për varësinë dhe problemet që shkaktojnë lojërat e fatit.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.