Si mund të ulen kostot e transfertave? – BB, asistencë Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e “SEPA”
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor po bëjnë progres domethënës në përafrimin e sistemeve të tyre kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Europian, si pjesë e objektivave të tyre për anëtarësim në union, së bashku me mbështetjen e Bankës Botërore. Megjithatë, progresi nuk ka qenë i barabartë në të gjithë rajonin, me nivele nën mesataren për aksesin dhe përdorimin e llogarive dhe shërbimeve financiare dixhitale.
Për të adresuar këto boshllëqe, Banka Botërore, në bashkëpunim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Sekretariatin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), po zbaton Projektin e Modernizimit të Pagesave në Ballkanin Perëndimor, të sponsorizuar nga Komisioni Europian.
Ky projekt synon të mbështesë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për të bërë përparim të prekshëm në përputhje me objektivat kryesore të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Një ndër shtyllat kryesore të projektit përqendrohet në miratimin e rregulloreve të BE-së për pagesat, për t’u mundësuar ekonomive të Ballkanit Perëndimor të bashkohen me Zonën e Përbashkët Evropiane të Pagesave, ose siç njihet ndryshe SEPA, e cila do të ndihmojë në rritjen e aksesit në treg dhe promovimin e integrimit ekonomik brenda rajonit dhe në Bashkimin Europian.
Një shtyllë tjetër fokusohet në krijimin e Sistemeve të Pagesave të Shpejta, që mundësojnë transferta të menjëhershme të fondeve 24 orë në ditë, edhe falë shërbimeve novatore si kodet QR.
Gjithashtu, ndërveprimi mes ofruesve të ndryshëm të shërbimeve të pagesave mund të lehtësojë tregtinë ndërkufitare, të rrisë konkurrencën, të zvogëlojë kostot për biznesin dhe të zvogëlojë koston e remitancave.
Lidion Kulla/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.