Skema e sigurimit në bujqësi mbetet në letër – Qeveria lë në “qiell të hapur” fermerët, premtoi “mbrojtje” një vit më parë
Qeveria ka dështuar në krijimin e një skeme siguruese në bujqësi që do ti mbronte fermerët nga katastrofat natyrore. Edhe pse përmbytjet aktuale në vend nuk ishin surprizë, duke qenë se është një fenomen i përsërishtëm, fermerët sërish janë lënë në “qiell të hapur” dhe pa mbrojtje.
Duke qenë se kompanitë nuk marrin përsipër sigurimin në bujqësi në ato zona me rrisk të lartë, një vit më parë, kreministri Edi Rama premtoi se do të vihej në jetë një skemë e përbashkët midis qeverisë dhe kompanive private për sigurimin e tokave dhe kulturave bujqësore duke paguar një kosto minimale nga fermerët, në mënyrë që të ishin të mbrojtur në rastet e katasrofave natyrore siç është përmbytja aktuale.
Por një vit më pas, fermerët gjenden tekstualisht në të njëjtën situatë, ku mijëra hektarë tokë gjenden nën ujë, prodhimet bujqësore janë dëmtuar dhe nuk do të kenë mundësi të marrin dëmshpërblim për humbjet e tyre.
Kompanitë e sigurimeve kanë kërkuar herë pas here nga qeveria vënien ne jetë të një skeme sigurimi ku ekzekutivi të paguajë një pjesë të primit, duke qenë se për zonat me risk është në vlerë të lartë.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.