Thellohet “përplasja” SHBA-Kinë për çipat – Kina u kërkon prodhuesve të automjeteve elektrike të blejnë çipa lokalë
Qeveria kineze u ka kërkuar prodhuesve të automjeteve elektrike, nga BYD deri te Geely, që të rrisin ndjeshëm blerjet e tyre nga prodhuesit vendas të çipave të automobilave. Kjo është pjesë e një fushate për të reduktuar varësinë nga importet perëndimore dhe nxitur industrinë vendase të gjysmëpërçuesve.
Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit më parë vendosi një objektiv jozyrtar për prodhuesit e automjeteve që të blinin një të pestën e çipave në vend deri në vitin 2025, por ka mbetur i pakënaqur me ritmin e progresit.
Ministria tani po udhëzon drejtpërdrejt firmat që të shmangin gjysmëpërçuesit e huaj nëse është e mundur.
Zhvillimet pasqyrojnë përpjekjet e shtuara të Pekinit për të fuqizuar sektorin e teknologjisë, një përgjigje ndaj përpjekjeve të SHBA për të kufizuar zhvillimin e çipave kineze nëpërmjet sanksioneve në shitjen e teknologjisë së përparuar. Direktiva kineze për makinat hedh pasiguri mbi biznesin e kompanive amerikane, të cilat konkurrojnë me firmat vendase për të furnizuar tregun më të madh të automjeteve elektrike në botë.
Pekini po synon gjithnjë e më shumë të mbështesë një industri vendase të çipave për të cilën e di se është shumë prapa rivalëve të huaj, por kritike për mbështetjen e ekonomisë dhe ruajtjen e një avantazhi gjeopolitik.
Direktiva është në përputhje me premtimet këtë vit për të mobilizuar të gjitha mjetet në dispozicion për të hequr supremacinë teknologjike nga SHBA dhe shtetet e tjera.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.