Rregullore globale për inteligjencën artificiale – Iniciativa e SHBA në asamblenë e përgjithshme të OKB-së
SHBA po udhëheq një rezolutë të Kombeve të Bashkuara për të promovuar sisteme të sigurta dhe të besueshme të inteligjencës artificiale me synim për të rritur rregullimin global dhe zhvillimin e qëndrueshëm të teknologjisë.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA, së bashku me 54 vende, përfshirë Irlandën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Kanadanë, Indinë, Francën, Australinë dhe BE-në, thanë se kanë prezantuar një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që synon të artikulojë një qasje të përbashkët ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale.
“Inteligjenca artificiale ka një potencial të madh për të formësuar ekonomitë, shoqëritë dhe botën tonë. Ne duhet të sigurojmë që këto përfitime të shtrihen në të gjithë globin dhe në të gjitha nivelet e zhvillimit”, thuhet në deklaratë.
Rezoluta u bën thirrje vendeve anëtare të promovojnë sisteme të sigurta dhe të besueshme të inteligjencës artificiale për të adresuar sfidat më të mëdha në botë, duke përfshirë ato që lidhen me eliminimin e varfërisë, shëndetin global, sigurinë ushqimore, klimën, energjinë dhe arsimin. “Ne jemi të vendosur të kapërcejmë inteligjencën artificiale dhe ndarjet e tjera digjitale edhe ndërmjet vendeve përmes ndërtimit të kapaciteteve”, vijon deklarata.
Sipas SHBA-së, konsensusi mbi këtë temë do të ndihmojë në shtrirjen e përfitimeve të inteligjencës artificiale tek vendet anëtare të OKB-së në të gjitha rajonet dhe nivelet e zhvillimit.
Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, tha se nëse miratohet, rezoluta e fundit do të ishte “përpjekja e parë e pavarur” në OKB për të krijuar konsensus global mbi inteligjencën artificiale.
Kjo iniciativë vjen në të njëjtën javë kur BE më miratoi Aktin e inteligjencës artificiale, duke shënuar fundin e negociatave dhe pengesave që kur legjislacioni u diskutua për herë të parë në 2021. Rezultati do të thotë se BE së shpejti do të ketë padyshim formën më të fuqishme dhe më të detajuar të rregullimit të inteligjencës artificiale në botë, në një përpjekje për të frenuar aspektet me rrezik të lartë të kësaj teknologjie në zhvillim.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.