Turqi-Shqipëri/ Hasani: Marrëdhënie të shkëlqyera në çdo fushë, potencial për më shumë shkëmbime tregtare!
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet globale dhe rajonale. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Hasani vlerësoi veçanërisht ndihmën që ka dhënë Turqia ndaj vendit tonë në rastin e tërmetit të vitit 2019, pandemisë por edhe krizës energjetike.
“Sot ne zhvilluam takimin e dytë të grupit për Dialog Politik, një mekanizëm i paraparë nga deklarata e partneritetit strategjik e nënshkruar në 6 janar të vitit 2021 në Ankara. Ky takim e forcon edhe më tej karakterin strategjik të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët në rrafshin dypalësh, rajonal dhe global”, tha ai.
Intensifikimi i dialogut politik mes dy vendeve, sipas Hasanit, “është shoqëruar me një rritje kuptimplotë bashkëpunimi dypalësh duke e konkretizuar atë me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh në fushën e teknologjisë, transportit, energjisë, mbrojtjes, shëndetësisë, arsimit, mjedisit, kulturës etj”.
Ai vlerësoi se aktualisht marrëdhëniet mes vendeve janë të shkëlqyera në çdo fushë, si në nivelin politik edhe për sa i përket shkëmbimeve në fushën e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe atë diplomatike, ku kanë njohur rritje e konsolidim. Duke u ndalur te bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregtare, ai theksoi se investimet turke në vendin tonë kapin shifrën e 3.7 miliardë euro, me më shumë se 15 mijë të punësuar në 830 kompani turke që operojnë në Shqipëri.
“Konstatuam se niveli i shkëmbimeve tregtare në kuotën e gati 760 milionë euro nuk pasqyron realisht potencialin ekzistues mes dy vendeve, ndonëse klima e të bërit biznes në Shqipëri është tejet e favorshme. Jemi të vendosur që ky tregues të kalojë shifrën e 1 miliard eurove”, tha Hasani.
Ministru u ndal po ashtu edhe tek bashkëpunimi rajonal dhe mundësitë e përmirësimit të marrëdhënieve bazuar në parimin e fqinjësisë së mirë. “Pas përfundimit me sukses të mandatit si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Shqipëria do të vazhdojë angazhimin shumëpalësh në nisma të tjera. Përmbushja me sukses e angazhimeve të ndërmarra do të kërkojë bashkëpunimin e ngushtë me Turqinë”, tha ai.
Kryediplomati shqiptar vlerësoi po ashtu edhe mbështetjen e Turqisë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe përshëndeti miratimin nga parlamenti turk të rezolutës për anëtarësimin e Suedisë në NATO. Hasani nënvizoi se me homologun turk ndau vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë, duke shprehur mbështetjen e palëkundur për sovranitetin territorial në kushtet e sfidave të reja.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.