Turqit gjejnë “strehë” në stoqe kundër inflacionit – Një rritje prej 20% në bursën e Stambollit që nga fillimi i vitit
Entusiazmi i investitorëve për aksionet e teknologjisë, në atë që shumë ekonomistë e quajnë ‘furi globale për kompanitë e teknologjisë’ të udhëhequr nga prodhuesi amerikan i mikroprocesorëve Nvidia, ka përfshirë tregun e aksioneve të Stambollit në një rritje të pazakontë. Tashmë një strehë për investitorët me pakicë që janë dyndur sistematikisht në bursë gjatë dy viteve të fundit për të mbrojtur kursimet e tyre nga inflacioni i lartë i Turqisë, bursa e Stambollit është rritur me 20% që nga fillimi i vitit. Faktori vendimtar, megjithatë, ishte rritja marramendëse prej 61% e aksioneve të kompanive të teknologjisë së lartë.
‘Kërcimi’ i tregut të aksioneve përkon me një përshpejtim të ri të inflacionit të Turqisë, i cili në janar arriti në 65% pavarësisht rritjeve të njëpasnjëshme të normave të interesit në total prej 36.5 pikë përqindjeje nën udhëheqjen e mëparshme të bankës qendrore. Gjatë dy javëve të fundit janë shtuar 774.000 investitorë të rinj, duke e çuar numrin total të investitorëve në Bursën e Stambollit në afër 8 milionë dollarë.
Përveç kësaj, nuk është vetëm streha e investitorëve të vegjël, pasi tërheq edhe investitorët institucionalë që kanë rifituar besimin e tyre te letrat me vlerë turke pikërisht për shkak të kalimit të vendit drejt një politike monetare kufizuese dhe, në përgjithësi, drejt opsioneve më ortodokse të politikës ekonomike. Duhet theksuar se guvernatori i ri i bankës qendrore, Fatih Karahan, është zotuar se do të pasojnë rritje të mëtejshme të normave të interesit në rast të rritjes së kërkesës pas rritjes së pagave.
Sipas firmës së të dhënave financiare ‘Finnet Electronic Publishing’, investitorët kanë vënë 7.2 miliardë lira turke, ose 233 milionë dollarë, në aksione të kompanive më të mëdha të teknologjisë turke që nga fillimi i vitit. Ky nivel fluksesh hyrëse është shumë i rëndësishëm për tregun turk dhe vjen kryesisht nga investitorë vendas me kapital të madh. Në fund të fundit, ekspertët vendas të investimeve shpjegojnë se vlerat në të cilat tani po luhaten aksionet e kompanive turke janë ‘veçanërisht tërheqëse’, ndërsa javët e fundit analistët e tregut turq kanë parashikuar fitime të konsiderueshme për kompanitë turke në në vitin e ardhshëm.
Faktorëve pozitivë i shtohet edhe fuqia e ekonomisë turke prej 1.1 trilion dollarë që vazhdon të rritet me ritme më të larta se parashikimi. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, PBB-ja turke u rrit me 1% krahasuar me tre muajt e mëparshëm, pjesërisht falë rritjes së shpenzimeve dhe investimeve të familjeve. Në të gjithë vitin e kaluar, ekonomia turke shënoi një ngadalësim nga rritja prej 5.5% që kishte shënuar në vitin 2022, por gjithsesi PBB-ja u rrit me një normë jo të vogël prej 4.5%.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.