Zvicra miraton pensionin e 13-të – Më shumë mbështetje për të moshuarit përballë inflacionit
Zvicra votoi pro rritjes së pensioneve në një referendum, pasi shqetësimi për kostot e jetesës dhe mbështetja për një rrjet më të fortë të sigurimeve shoqërore ishin dhe temat kryesore të tij. Njëkohësisht, një votim i veçantë për rritjen e moshës së pensionit të Zvicrës në 66 nga 65, u refuzua plotësisht nga tre të katërtat e votuesve.
Rezultatet e përkohshme zyrtare të publikuara nga qeveria treguan se mbi 58% e votuesve mbështetën pensionin shtesë, një pagesë mujore e 13-të në vit, me më pak se 42% kundër, një fitore më e bindshme se sa kishin sugjeruar sondazhet përfundimtare.
Masa, e cila u promovua nga Federata e Sindikatave Zvicerane dhe partitë e majta të qendrës, kishte nevojë gjithashtu për mbështetjen e shumicës së 26 kantoneve të Zvicrës për t’u miratuar. Shumica e mbështetën atë, me opozitën më të fortë në kantonet me taksa më të ulëta.
Qeveria, lobet e biznesit dhe parlamenti, i cili aktualisht anon djathtas, e kishte refuzuar propozimin si të pasigurtë financiarisht. Votuesit zviceranë në të kaluarën kanë qenë të kujdesshëm në lidhje me masat mbështetëse të konsideruara si të rrezikshme për biznesin.
Votimi i pensioneve është në kontrast me referendumet e dekadave të fundit, në të cilat Zvicra refuzoi qartë propozimet që do të shkurtonin javën e punës dhe do t’u jepnin njerëzve më shumë pushime.
Shqetësimi për koston e jetesës është i përhapur në vendin e pasur. Zyrihu, bashkia më e madhe e Zvicrës, u krahasua me Singaporin si qyteti më i shtrenjtë në botë në një studim të botuar në nëntor nga ‘Economist Intelligence Unit’.
Nuk është e qartë se si do të financohet rritja e pensioneve, e cila duhet të hyjë në fuqi nga viti 2026. Kundërshtarët e këtij propozimi thonë se kjo mund të shkaktojë rritje të taksave ose shkurtime të shpenzimeve dhe të rëndojë mbi zviceranët e rinj. Pensioni minimal i pleqërisë dhe të mbijetuarve në Zvicër është 1225 franga, ose 1393 dollarë në muaj dhe maksimumi 2450 franga. Për çiftet është e kufizuar në 3675 franga.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.