Vendet arabe, vëmendje te litiumi – Gjigantët e naftës Aramco dhe Adnoc, kanë nisur investimet
Arabia Saudite dhe kompanitë kombëtare të naftës të Emirateve të Bashkuara Arabe planifikojnë të nxjerrin litium nga fushat e tyre të naftës, në përputhje me planet për të diversifikuar ekonomitë e tyre.
Kompani të tjera nafte, duke përfshirë Exxon Mobil dhe Occidental Petroleum, planifikojnë të përfitojnë nga teknologjitë në zhvillim për të filtruar litiumin, ndërsa bota kërkon të largohet nga karburantet fosile. Arabia Saudite, ekonomia e së cilës për dekada është mbështetur në naftë, ka shpenzuar miliarda në përpjekjen për t’u kthyer në një qendër për automjetet elektrike si pjesë e përpjekjeve të Princit të Kurorës Saudite Mohammed bin Salman për të gjetur burime alternative të pasurisë.
Disa burime thanë se Saudi Aramco dhe Abu Dhabi National Oil Company (ADNOC) ishin në fazat e hershme të punës për nxjerrjen e litiumit, i konsideruar si një mineral kritik nga shumë ekonomi të mëdha për shkak të përdorimit të tij në prodhimin e baterive.
Teknologjia e nxjerrjes direkte të litiumit është në fillimet e saj dhe është shumë më pak e sigurt se nxjerrja e naftës. Por, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe mund të përdorin ekspertizën në trajtimin e mbetjeve të naftës dhe ujërave të zeza.
Një avantazh i filtrimit të metalit të baterisë ultra të lehtë nga uji i kripur është se shmang nevojën për miniera të hapura të kushtueshme dhe sfiduese për mjedisin ose pellgje të mëdha avullimi, siç përdoren në prodhuesit kryesorë në botë, Australi dhe Kili.
Kina është përpunuesi dhe konsumatori më i madh i litiumit, i nevojshëm për automjetet elektrike dhe hibride. Aktualisht, dobësia ekonomike globale ka ulur blerjen e automjeteve të reja duke ndikuar në çmimet e litiumit. Çmimet e litiumit kanë rënë me rreth 80% që kur arritën një kulm në nëntor 2022 pasi ngadalësimi në shitjet e automjeteve elektrike përkeqësoi një tepricë të ofertës.
Megjithatë, prodhuesit kryesorë të makinave kërkojnë furnizime të reja me litium në pritje të rritjes së kërkesës. Analistët kanë thënë se industria e automjeteve elektrike do të varet nga litiumi për vitet në vijim, edhe pse janë duke u studiuar alternativa më të lira të teknologjisë së baterive që përdorin më pak, ose aspak litium.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.