Tregtia e armëve në Evropë, thuajse dyfishohet – Franca kalon Rusinë si eksportuesi i dytë më i madh në botë
Vendet evropiane pothuajse kanë dyfishuar tregtinë e tyre të armëve midis viteve 2014-2018 dhe 2019-2023, duke u rritur me 94% gjatë kësaj periudhe, sipas një studimi të ri nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI). Pjesa më e madhe e kësaj rritje ishte për shkak të dërgesave në Ukrainë.
Dy vende evropiane, Franca dhe Italia, gjithashtu kanë rritur ndjeshëm eksportet e tyre në të njëjtën periudhë, duke gjetur blerës në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Çuditërisht duke parë situatën aktuale në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës, me konfliktet në Ukrainë dhe Gaza, vëllimi global i tregtisë ndërkombëtare të armëve ra lehtë me 3.3% midis periudhave 2014-2018 dhe 2019-2023.
Importuesi më i madh në Evropë është Ukraina, që përbënte 23% të të totalit gjatë periudhës 2019-2023. Importuesit e radhës më të mëdhenj ishin Mbretëria e Bashkuar (11%) dhe Holanda (9%). Po gjatë kësaj periudhe, blerjet e armëve të Evropës nga SHBA përbënin 55% të totalit.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes, shumë faktorë formësojnë vendimet e shteteve evropiane anëtare të NATO-s për të importuar armë nga SHBA, përfshirë ruajtjen e marrëdhënieve transatlantike, së bashku me çështjet më teknike, ushtarake dhe të lidhura me koston.
SHBA dhe Franca aktualisht dominojnë eksportet globale të armëve, me Uashingtonin që ka rritur eksportet e tij me 17% midis 2014-2018 dhe 2019-2023 dhe Parisi me 47% në të njëjtën periudhë.
Vetëm SHBA zotëronte 42% të totalit të eksporteve globale të armëve, duke shpërndarë armë në 107 shtete midis viteve 2019 dhe 2023, më shumë se çdo eksportues tjetër i madh. Rritja e eksporteve franceze të armëve, nga ana tjetër, ishte kryesisht për shkak të dërgimit të avionëve luftarakë në Indi, Katar dhe Egjipt.
Për herë të parë, Franca ishte përpara Rusisë në listën e eksportuesve më të mëdhenj të armëve në botë, duke u renditur e dyta ku Rusia renditej e treta. Kjo për shkak se ndërsa eksportet e Francës u rritën, eksportet e Rusisë u përgjysmuan (-53%) në të njëjtën periudhë. Ndërsa Rusia eksportoi në 31 shtete në vitin 2019, numri ra në vetëm 12 në 2023.
Pjesa më e madhe e eksporteve të armëve të Francës (42%) shkoi në vendet e Azisë dhe Oqeanisë, ndërsa 34% e tjera shkuan në shtetet e Lindjes së Mesme. Përfituesi më i madh i eksporteve franceze të armëve ishte India, me gati 30% të totalit. Vende të tjera regjistruan rritje të eksporteve të armëve në tre vitet e fundit. Në Itali, eksportet e armëve u rritën me 86%, ndërsa në Korenë e Jugut me 12%.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.