“BE të përgatitet për rreziqet nga ndryshimet klimatike” – Apeli i Agjencisë së Mjedisit: Parashikohen dëme katastrofike
Politikëbërësit duhet të hartojnë plane të reja për të adresuar sfidat, tha Agjencia e Mjedisit e BE-së në analizën e tij për rreziqet e lidhura me klimën. Vendet në të gjithë Evropën duhet të përgatiten për rreziqe “katastrofike”, duke filluar nga përmbytjet deri te valët vdekjeprurëse të të nxehtit, pasi ndryshimet klimatike po përkeqësohen.
Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u ngrohur me dyfishin e shkallës globale, tha Agjencia. Edhe nëse vendet arrijnë të ngadalësojnë ngrohjen, temperaturat globale janë tashmë më shumë se 1 gradë celcius më të larta se në kohët para-industriale.
Sipas Agjencisë së Mjedisit, dëmi do të varet pjesërisht nga fakti nëse politikëbërësit veprojnë tani për të përgatitur shoqëritë, duke përmirësuar mbulimin e sigurimeve, rehabilituar infrastrukturën dhe miratuar ligje për të mbrojtur punëtorët nga temperaturat e larta.
Pa veprime më urgjente, Agjencia tha se shumica e 36 rreziqeve klimatike me të cilat përballet Evropa mund të godasin në “nivele kritike ose katastrofike” këtë shekull. Ato përfshijnë rreziqe për shëndetin, prodhimin dhe infrastrukturën.
Në një skenar pesimist, deri në fund të këtij shekulli, sipas Agjencisë së Mjedisit, qindra mijëra njerëz do të vdisnin nga valët e të nxehtit dhe humbjet ekonomike vetëm nga përmbytjet mund të tejkalojnë 1 trilion euro në vit.
Kjo shifër do të ishte më e lartë se 650 miliardë euro të humbura nga ekstremet e motit në të gjithë bllokun nga viti 1980 deri në 2022. Agjencia e Mjedisit u bëri thirrje qeverive të BE që t’u përgjigjen këtyre gjetjeve. Komisioni Evropian do të publikojë të martën përgjigjen ndaj këtij raporti.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.