Paratë nuk janë më mbret! – “Largimi” nga cash-i i solli buxhetit në Britani 12 miliardë paund shtesë
Një nga gjetjet befasuese të buxhetit të fundit të Mbretërisë së Bashkuar ishte se heqja gjithnjë e më shumë nga qarkullimi i parasë së gatshme i ka dhënë Thesarit të ardhura shtesë prej 12 miliardë paund, pasi për organizatat dhe bizneset e vogla po bëhet më e vështirë të shmangin pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Ndonjëherë, mund të ketë një negocim midis tregtarit dhe blerësit që nënkuptonte se puna mund të bëhej me “para në dorë” duke lënë jashtë TVSH-në prej 20%, për të cilën Thesari, departamenti përgjegjës për financat e qeverisë, ka vendosur se është taksa që duhet paguar në vendin e punës.
Zhvendosja nga paratë e gatshme filloi me pandeminë COVID-19 kur frika nga infektimi nënkuptonte që njerëzit përdornin karta bankare në vend të parave për blerjet e tyre. Blerjet gjatë pandemisë ishin të kufizuara në produktet thelbësore, por shumë dyqane nisën me kënaqësi këtë risi duke parë më të lehtë përdorimin e një qasjeje të vetme.
Sapo mbaroi pandemia, u mendua se Mbretëria e Bashkuar do të kthente shpejt monedhën e saj fizike, por kjo nuk ka ndodhur. Disa dyqane tani janë kthyer tek pranimi i parave të gatshme, por disa ende refuzojnë.
Ndërsa qeveria pranon se aftësia për të kryer transaksione me para në dorë është e rëndësishme për miliona njerëz në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht ata në grupet e cënueshme, mbetet zgjedhja e bizneseve individuale nëse do të pranojnë ose refuzojnë çdo formë pagese, duke përfshirë paratë, ose kartën. Kjo mund të bazohet në faktorë të tillë si preferenca dhe kostoja e klientit.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.