60.8 mln lekë për mirëmbajtjen e TAP – Hapet tenderi për aktivitetet e inspektimit, të nevojshme për identifikimin e problemeve
Mirëmbjatja e tubacionit të gazsjellësit Trans Adriatik në territorin shqiptar pritet të kushtojë rreth 60.8 mln lekë, deri në shtatorin e vitit që vjen. Albanian Gas Service (AGS), që është kompania e krijuar nga Albgaz dhe kompania italiane SNAM, në funksion të mirëmbajtjes së tubacionit të gazit, ka hapur tenderin për të zgjedhur një kompani që do ta mbështesë për kryerjen e aktiviteteve të inspektimit.
Po ashtu, synohet përmbushja e kërkesave rregullatore në lidhje me vlerësimin e konformitetit të instalimeve sipas kërkesave të ligjit shqiptar. Sipas dokumenteve të tenderit, verifikimi i gjendjes teknike të instalimeve të pajisjeve do të shërbejë për përcaktimin dhe identifikimin e problemeve teknike përpara se ato të krijojnë dëmtime serioze dhe prishje të mundshme të sistemit.
Ky monitorim do të vlerësojë njëkohësisht përputhshmërinë me kërkesat e standardeve për funksionimin dhe mirëmbajtjen e instalimeve dhe do të përcaktojë ndërhyrjet e nevojshme për riparimin, optimizimin dhe masat parandaluese që duhen marrë për të garantuar funksionimin e sigurt dhe jetëgjatësinë e instalimeve të TAP.
Marrëveshja për mirembajtjen e Gazsjellësin Trans Adriatik u nënshkrua në vitin 2018, ndërsa aktiviteti i mirëmbajtjes filloi në vitin 2019. Marrëveshja e nënshkruar ka një kohëzgjatje fillestare 7- vjeçare.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.