Netflix arrin marrëveshje me Microsoft – Abonimet e reja do të jenë me kosto të ulët dhe do të ketë reklama
Pasi pranoi për herë të parë rënien e numrit të abonentëve që nga krijimi i platformës, Netflix ka marrë masa. Për të tërhequr përdorues është bërë e ditur se abonimet e reja mujore do të jenë më të lira, por nga ana tjetër për herë të parë do të ketë reklama. Dhe pse fillimisht u njoftua se marrëveshja do të ishte me Google, Netflix ka nënshkruar me Microsoft.
Netflix shpjegoi në një deklaratë për mediat se kishte zgjedhur Microsoft dhe teknologjinë e tij të reklamave për të prezantuar një “plan abonimi me çmim të ulët dhe të mbështetur nga reklamat”. Më tej në deklaratë thuhej se ky ishte vetëm fillimi dhe se ka ende shumë punë për të bërë.
Ndërkohë, Netflix tashmë është duke biseduar me kompanitë më të rëndësishme të prodhimeve kinematografike – nga Universal tek Uarner Bros e Sony Pictures Television – për të rinegociuar marrëveshjet, në mënyrë që të mund të shfaqen filma dhe seriale televizive të ndërthurura me reklama.
Netflix nuk dëshiron dhe as ka dashur ndonjëherë reklama në platformën e tij. Por përveç 200 mijë abonentëve të humbur midis janarit dhe marsit të këtij viti, analistët presin një humbje të mëtejshme prej dy milion në muajt në vijim. Pasoja e parë ishte shkurtimi i 150 vendeve të punës. Konkurrenca aktuale është e lartë, mbylljet që shtynë miliona njerëz në mbarë botën, gjatë pandemisë, para televizorit kanë marrë fund.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.