FED rrëzon dollarin amerikan – Politikëbërësit e bankës qendrore, pro ngadalësimit të rritjes së interesave
Dollari është dobësuar ndjeshëm gjatë sesionit të ndjeshëm amerikan dhe gjatë tregtisë së sotme europiane, pasi procesverbali i takimit të fundit i Rezervës Federale tregoi se politikëbërësit e bankës qendrore janë dakord të ngadalësojnë hapin e rritjes së normës bazë të interesit.
Në dokument lexohet zyrtarët e Rezervës Federale ishin të kënaqur në rritjet e deritanishme të interesave, që kanë dhënë efekt edhe në ngadalësimin e inflacionit. Për këtë arsye, euro u ngjit në mbi 1.04 dollarë dhe pritet të publikojë fitime për të dytën javë me radhë.
Edhe të dhënat e tjera të publikuara në SHBA treguan se aktiviteti i biznesit u kontraktua për të pestin muaj me radhë, gjatë nëntorit, me porositë e reja që prekën nivelin më të ulët në 2 vite e gjysëm, sepse rritja e interesave ngadalësoi kërkesën. Gjatë këtij viti, dollari amerikan është rritur ndjeshëm përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, i mbështetur nga rritjet e njëpasnjëshme të interesave nga Rezerva Federale për ta “ftohur” inflacionin.
Edhe paundi britanik fitoi rreth 1.5% të vlerës vetëm në sesionin e kaluar, duke u ngjitur në mbi 1.2 USD. Në tregun e kriptomonedhave, dobësimi i dollarit amerikan ka ofruar një mbështetje për tregun, por megjithatë investitorët po tregohen të kujdesshëm për shkak të kolapsit të platformës, FTX.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.