Nafta shënon sërish rritje – Ndikojnë pritshmëritë për heqjen e kufizimeve anti covid në Kinë
Rritet sërish çmimi i naftës, si pasojë e pritshmërive se Kina do të lehtësojë kontrollet e saj ndaj Covid 19, pas protestave të rralla kundër strategjisë zero Covid në vend. Manifestimet u zhvilluan gjatë fundjavës në qytetet më të mëdha kineze.
Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën me 1.4 dollarë, ose 1.7%, dhe u tregtuan me 84.57 dollarë për fuçi.
Ndërsa kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 1.17 dollarë, ose 1.5%, në 78.39 dollarë për fuçi.
Aksionet aziatike gjithashtu shënuan rritje pas zërave sipas të cilëve trazirat mund të nxisnin një lehtësim të kufizimeve si pasojë e Covid. Këto zëra kanë shkaktuar shumë luhatje në tregje.
Protestat e rralla në rrugë dhe në qytetet anembanë Kinës gjatë fundjavës ishin një rebelim kundër politikës zero Covid të presidentit Xi Jinping, por dhe sfida më e fortë publike përgjatë gjithë karrierës së tij sipas analistëve kinezë. Pekini këmbëngul në politikën e zero Covid dhe pse pjesa më e madhe e botës ka hequr pjesën më të madhe të kufizimeve.
Çmimet e naftës mbështeten edhe nga pritshmëria që prodhuesit kryesorë të naftës do të rregullojnë planet e tyre të prodhimit në takimin e ardhshëm. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës – OPEC – dhe aleatët, përfshirë Rusinë, të njohur si OPEC+, do të zhvillojnë një takim më 4 dhjetor. Analistët në Eurasia Group sugjeruan se kërkesa e dobësuar nga Kina mund të nxisë OPEC + për të ulur prodhimin. OPEC+ filloi të ulë objektivin e prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë në nëntor, duke synuar të mbështesë çmimet e naftës. Tregjet po vlerësojnë gjithashtu ndikimin e një kufiri të ardhshëm të çmimit perëndimor ndaj naftës ruse.
G7 dhe diplomatët e Bashkimit Europian kanë diskutuar një kufi prej 65 deri në 70 dollarë për fuçi, me synimin për të kufizuar të ardhurat për financimin e ofensivës ushtarake të Moskës në Ukrainë, pa ndërprerë tregjet globale të naftës. Kufiri i çmimit do të hyjë në fuqi më 5 dhjetor, ditë kur do të hyjë në fuqi dhe vendimi i BE-së për ndalimin e naftës bruto ruse.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.