Ndërtimet pa leje në Shqipëri, me 1 euro. Sa duhet të paguajnë subjektet shkelëse për të riblerë sërish pronën
Qeveria ka avancuar me iniciativën për konfisikimin e objekteve të ndërtuara pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit. Udhëzimi i Ministrisë së Financave, i botuar në Fletoren Zyrtare, detajon se si do të kryhet procesi i konfisikimit të objekteve pa leje, kalimit si pronë shtetërore dhe se si do t’i jepet e drejta ndërtuesit për të riblerë pronën e tij.
Konkretisht, sipas udhëzimit në fjalë, “çdo institucion ligj zbatues, i cili vepron në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ka detyrim ligjor të hartojë aktin e konstatimit të paligjshmërisë në ndërtim dhe të njoftojë për ndërtimin pa leje ose tejkalim të lejes së ndërtimit subjektin zhvillues, për të lidhur kontratën premtim shitje me vlerën 1 euro për interes publik dhe ministrinë përgjegjëse për administrimin e pronës shtetërore”.
Më tej, Drejtoria e Administrimit të Pronës Shtetërore i kërkon subjektit që të nënshkruajë vullnetarisht kontratën pemtim/shitje me vlerë një 1 euro të pronës së ndëruar pa leje. Me nënshkrimin e aktit notarial, akti kalon në Këshillin Kombëtar të Territorit, i cili në vendim do të përcaktojë pjesën takuese të shtetit në përqindje, në raport me subjektin zhvillues.
Pas vendimit të KKT-së, Drejtoria e Administrimit të Pronës Shtetërore regjistron vendimin pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe nxjerr urdhrin për marrjen në dorëzim të objektit. Konfiskimi i objektit do të bëhet brenda një peridhe 10 ditorë nga dalja e urdhrit për zbatimin e vendimit.
Dhe pas kësaj, procedure, do të bëhet një vlerësim i pronës me vlerën e tregut nga ekspertë të lincensuar dhe më tej do t’i jepet sërish e drejta subjektit për të riblerë pronën. Referuar udhëzimit “pas miratimit të raportit të vlerësimit, Drejtoria e Administrimit të Pronës Shtetërore njofton subjektin ndaj të cilit është kryer konfiskimi, për kryerjen e pagesës në llogarinë thesarit, të vlerës prej 10% të çmimit të blerjes, si formë për garancinë e nënshkrimit të kontratës së “Kalimi të drejtash dhe detyrimesh”.
Kjo pagesë do të kryhet nga përfituesi, brenda një afati 10-ditor nga dita e njoftimit. Nëse subjekti nuk paraqitet për nënshkrimin e kontratës, vlera e garancisë së kontratës nuk do të kthehet”. Të ardhurat e krijuara nga shitja do të përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime, me qëllim realizimin e punëve publike.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.