Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Inflacioni në SHBA parashikohet të jetë ngadalësuar në 6.5%
Tregjet europiane e kanë nisur në rritje edhe sesionin e sotëm, për shkak të pritshmërive se inflacioni në SHBA do të jetë ngadalësuar gjatë muajit dhjetor. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rritje me rreth 0.4%, ndërsa sektori i shërbimeve realizon fitimet më të mëdha, në rritje me rreth 1%.
Ndërkohë, shumica e tregjeve në rajonin e Azi-Paqësorit dhe indekset kryesore në Wall Street patën një sesion të qetë, për shkak se investitorët janë të pritje të inflacionit në SHBA, që publikohet më vonë gjatë ditës së sotme. Ekonomistët parashikojnë se indeksi i çmimeve konsumatore do të ketë rënë me 0.1% me bazë mujore dhe do të jetë rritur me 6.5% me bazë vjetore.
Të dhënat mbi inflacionin do të qartësojnë edhe hapat që do të ndjekë Rezerva Federale në takimin e këtij muaji. Investitorët po presin edhe fitimet tremujore të Tesco, Marks & Spencer dhe ASOS, ndërsa nuk priten të dhëna të rëndësishme ekonomike në Europë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.