Euro ngjitet sërish pranë 1.09 USD – Mbështetet nga përmirësimi i aktivitetit të biznesit në Eurozonë
Euro është forcuar edhe gjatë ditës së sotme, përballë dollarit amerikan, pasi të dhënat mbi aktivitetin e biznesit në Eurozonë treguan një rikthim surprizë gjatë muajit janar, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, tendenca në rënie vijoi për të shtatin muaj me radhë.
Megjithatë, investitorët po tregohen të kujdesshëm, në pritje të takimit të Rezervës Federale, javën e ardhshme. Analistët presin gjerësisht se norma bazë e interesit në SHBA do të arrijë kulmin prej 5% në muajin qershor, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm mund të fillojë ulja. Euro po tregtohet në rreth 1.09 dollarë, niveli më i lartë në 9 muajt e fundit. Vëzhgimi më i fundit sugjeroi se aktiviteti i biznesit në Eurozonë ju rikthye rritjes, gjatë janarit, ndërsa sektori i shërbimeve në Gjermani u rrit për herë të parë që nga qershori i vitit 2022, pavarësisht se presioni i çmimeve ishte prezent.
Një ekonomi më e fortë i jep më shumë hapësira Bankës Qendrore Europiane që të rrisë normat e interesit, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Ndërkohë, tregun e kriptomonedhave, bitcoin vijon të tregtohet pranë 23 mijë dollarëve, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1600 dollarë. Investitorët po përfitojnë nga çmimet e ulëta të kriptomonedhave, që ranë ndjeshëm pas kolapsit të FTX, platformës së dytë më të madhe në botë të këmbimin.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.