Nafta, e qëndrueshme pranë 86 USD – Rezervat e naftës në SHBA, rritje më të vogël se parashikimet
Nafta po tregtohet e qëndrueshme edhe në sesionin e sotëm, pasi të dhënat e publikuara në SHBA treguan një rritje të rezervave në SHBA, por në masë më të vogël krahasuar me parashikimet e analistëve. Në anën tjetër, dobësimi i dollarit amerikan ka ofruar një mbështetje për çmimet, pasi i bën lëndët e para që janë të denominuara në monedhën e gjelbër më të lira për zotëruesit e monedhave të tjera.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 86 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 80 dollarë për fuçi. Referuar të dhënave zyrtare nga Administrata për Informimin mbi Energjinë në SHBA, rezervat e naftës bruto u rritën me 533 mijë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 20 janar, kundrejt parashikimeve të analistëve për një rritje me 1 milionë fuçi. Por, pavarësisht rritjes modeste, rezervat e naftës bruto në SHBA kanë prekur nivelin më të lartë që nga qershori i vitit 2021.
Edhe investitorët në tregun e naftës po presin takimin e Rezervës Federale dhe Bankës Qendrore Europiane, javën e ardhshme. Një faktor që i ka mbajtur çmimet e naftës të ulëta është edhe ngadalësimi i ekonomisë globale, që mund të dëmtojë edhe kërkesën për “arin e zi”. Rritja ekonomike globale pritet të jetë në rreth 2%, gjatë këtij viti, por rreziqet janë të shumta dhe parashikimet mund të ndryshojnë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.