Tregjet monetare presin takimin e FED – Parashikohet rritje e normës bazë të interesit me 25 pikë bazë
Dollari amerikan po ndryshon minimalisht edhe në sesionin e sotëm përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, pasi investitorët po presin përfundimin e takimit të Rezervës Federale. Analistët parashikojnë se, banka qëndrore amerikane do të rrisë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë.
Në konferencën për mediat, investitorët po presin të mësojnë ndonjë detaj mbi gjendjen e ekonomisë amerikane. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102, ndërsa një ditë më parë humbi rreth 0.2% të vlerës.
Të dhënat e publikuara në SHBA treguan se kostot në tregun e punës u rritën gjatë tremujorin të fundit të vitit të kaluar, por me hapin më të ngadaltë në 1 vit. Ndërkohë, gjatë janarit indeksi i dollarit publikoi humbje për të katërtin muaj me radhë.
Njëkohësisht, të enjten do të jetë Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë, të cilat pritet të rrisin normën bazë të interesit me 50 pikë bazë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 23 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1570 dollarë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.