Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Senati amerikan kalon projektligjin për rritjen e tavanit të borxhit
Bursat europiane janë hapur në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi ligjvënësit në Senatin amerikan votuan projektligjin për pezullimin e tavanit të borxhit për 2 vite, me 63 vota pro dhe 36 kundër. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.5%, ndërsa sektori minerar po realizon fitimet më të mëdha në rritje me 1.8%.
Drama për tavanin e borxhit ka dëmtuar tregjet në kohët e fundit, ndërsa tashmë fokusi do të rikthehet te parashikimet për ekonominë amerikane, rreziqet për recesion dhe politikat monetare të Rezervës Federale. Në Europë, rënia domethënëse e inflacionit, në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2022, nuk ishte i mjaftueshëm për Bankën Qendrore Europiane.
Presidentja Christine Lagarde, tha se inflacioni në 6.1% është shumë i lartë dhe do të nevojiten rritje të tjera për ta çuar këtë tregues brenda objektivit prej 2%. Gjatë sesionit të sotëm, investitorët po presin edhe të dhënat mbi punësimin në SHBA për majin. Analistët parashikojnë se ekonomia më e madhe në botë do të ketë krijuar edhe 190 mijë vende të reja pune.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.