10% e miliarderëve janë nën 50 vjeç – Mosha mesatare e tyre aktualisht është 67 vjeç
Mosha mesatare e 3194 miliarderëve në botë aktualisht është 67 vjeç. Ndërsa të rinjtë e teknologjisë dhe të famshmit e muzikës dhe sportit mund të marrin vëmendjen më të madhe, miliarderët janë kryesisht sipërmarrës më të vjetër në moshë.
Grupmosha të ndryshme të miliarderëve kanë gjithashtu burime të ndryshme pasurie. Për miliarderët nën moshën 50 vjeç, teknologjia dhe bankat/financat përbënin pjesën më të madhe të krijimit të pasurisë së tyre, me 21% që e bëjnë pasurinë e tyre në bankë/financë dhe 20% në teknologji.
Miliarderët e moshës 50 deri në 70 vjeç e fituan pjesën më të madhe të parave të tyre në sektorin bankar/financiar – 24% dhe grupet industriale – 8.3%, ndërsa ata mbi 70 vjeç fituan miliardat e tyre në financa – 18%, konglomerate – 11% dhe pasuri të paluajtshme – 8.3%.
Në përgjithësi, popullsia e miliarderëve në botë u tkurr me 3.5% në vitin 2022, në një total prej 3.194. Ndërsa numri i miliarderëve mund të jetë stabilizuar apo edhe rritur pak këtë vit me lulëzimin e sektorit të teknologjisë, rënia në vitin 2022 shënoi rrëshqitjen e parë që nga viti 2018.
Amerika e Veriut pati një rënie prej 2.3%, në 1011 miliarderë, ndërsa Azia ishte 7.1% dhe Europa 2.2%. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ende numrin më të madh të miliarderëve në botë, me 955, që përbëjnë gati një të tretën e miliarderëve në botë. Kina kishte 357 miliarderë deri në fund të vitit 2022.
Gratë ende përbëjnë një pjesë të vogël të super të pasurve, me 12.5 %, sipas raportit. Megjithatë, si grupmoshe janë më të rinj se homologët e tyre meshkuj, me 18% të miliarderëve nën moshën 50 vjeç.
Nju Jorku është ende qyteti kryesor për miliarderët në mbarë botën, me 136, sipas raportit. Hong Kongu renditet i dyti, me 112, i ndjekur nga San Francisko 84, Moska 76 dhe Londra 75.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.