“Mali i Zi, të rregullojë strategjinë e rritjes ekonomike” – Apeli i Bankës Botërore/ Të hiqen barrierat rregullatore
Nëse Mali i Zi, vend aspirant për në BE nuk miraton një strategji të re të rritjes ekonomike që do të nxiste produktivitetin dhe kapitalin njerëzor, të ardhurat e tij nuk do të konvergojnë me nivelet mesatare të BE në 40 vitet e ardhshme, paralajmëroi Banka Botërore.
Vendi i vogël i Adriatikut, i cili filloi negociatat e pranimit në BE në 2012-ën, shpreson të përshpejtojë integrimin e tij me bllokun 27-anëtarësh pas miratimit të një grupi gjithëpërfshirës të kornizave ligjore në përputhje me Bashkimin Europian.
Por, strategjia e tij e rritjes, e cila deri më tani është bazuar kryesisht në tërheqjen e disa projekteve të mëdha investimi në transport, energji apo turizëm, e ka lënë ekonominë më të prekshme ndaj goditjeve të jashtme, duke e bërë të vështirë ruajtjen e një norme mesatare rritjeje prej 3%, thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës Botërore.
Banka tha se rritja e stanjacionit të produktivitetit u shkaktua nga joefikasiteti i tregut në sektorin e shërbimeve, i cili përfaqëson mbi 70% të PBB-së dhe se Malit të Zi i duhej të hiqte barrierat rregullatore që firmat të hynin në tregje dhe të rriteshin.
Shumicës së kompanive u mungojnë inovacionet dhe investojnë pak në teknologjinë e gjelbër, që është e nevojshme për të mbështetur rritjen e turizmit dhe për të zhvilluar avantazhin krahasues të Malit të Zi në energjinë e pastër. Vetëm 8% e firmave kanë zbatuar masa për eficiencën e energjisë, krahasuar me 25% në vendet homologe.
Gjithashtu, nevojitet një levë më e mirë e tregtisë pasi shërbimet e udhëtimit dhe turizmit përbëjnë 80% të totalit të eksporteve, shtoi banka, duke paralajmëruar se vetë diversifikimi i eksporteve kufizohet nga produktiviteti i ulët i firmave malazeze, gjë që redukton konkurrencën e tyre në tregjet e huaja.
Përveç kësaj, Mali i Zi duhet të trajtojë pabarazinë e të ardhurave, që zvogëlon grupin e punonjësve dhe sipërmarrësve të aftë të ardhshëm dhe kufizon potencialin e tij të rritjes së produktivitetit të punës.
“Duke zbatuar këto reforma, Mali i Zi mund të presë një sektor privat të lulëzuar, mundësi të konsiderueshme punësimi dhe përfundimisht përmirësim të pagave dhe përfitimeve për të gjithë qytetarët e tij,” nënvizohet në raportin e Bankës Botërore.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.