Gjoba ndaj Binance nuk cënon kriptot – Brenda 24-orëve nga platforma largohen 956 milionë dollarë
Tregu i kriptomonedhave po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, me bitcoin që gjithsesi po tregtohet në mbi 37,000 dollarë. Ndërkohë, norma e gjenerimit të bitcoin ose siç njihet ndryshe si “hash rate” ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, duke demonstruar rritjen e elasticitetit të rrjetit në përgatitje për ngjarjen e shumëpritur të përgjysmimit vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, investitorët kanë tërhequr rreth 956 milionë dollarë nga platforma e shkëmbimit të kriptomonedhave, Binance, gjatë 24 orëve të fundit, pasi shefi ekzekutiv, Changpeng Zhao, dha dorëheqjen dhe u përball me burgim pasi u deklarua fajtor në SHBA. Megjithatë, shifra është e ulët, krahasuar me rreth 65 miliardë dollarë që mbetetn aktive në Binance.
Marrëveshja, sipas së cilës Binance do t’u paguajë 4.3 miliardë dollarë autoriteteve amerikane, ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e platformës më të madhe në botë të këmbimit të kriptomonedhave dhe shënon një goditje tjetër për një industri të pushtuar nga skandalet.
Zhao është zëvendësuar nga Richard Teng, një ekzekutiv i lartë i Binance, i cili u bashkua në vitin 2021. Disa analistë vunë në dukje se marrëveshja mes Binance dhe autoriteteve amerikane nuk kishte gjasa t’i jepte fund vështirësive ligjore të kompanisë në SHBA, pasi Komisioni i Letrave me Vlerë pretendon se Binance ka shkelur ligjet e titujve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.