Bitcoin arrin në nivelin më të lartë të 19 muajve – Kalohet kufiri i 40.000 dollarëve për herë të parë këtë vit
Bitcoin kaloi kufirin e 40.000 dollarëve për herë të parë këtë vit, i përforcuar nga pritshmëritë për miratimin e një fondi të tregtuar me bitcoin dhe mundësisë për uljen e normave të interesit në SHBA.
Kriptovaluta më e madhe në botë u rrit me më shumë se 4% të hënën në Azi në nivelin më të lartë në 19 muaj dhe u tregtua deri në 41.520 dollarë bazuar në të dhënat e Coin Metrics. Kjo është hera e parë që nga maji 2022 që bitcoin ka kaluar nivelin e 40.000 dollarëve. Bitcoin tani është rritur më shumë se 145% nga fillimi i vitit.
Kjo vjen pasi skandalet tronditën tregun duke përfshirë kolapsin e platformës së shkëmbimit të kriptove FTX në nëntor të vitit të kaluar. Muajin e kaluar, themeluesi i FTX Bankman-Fried u shpall fajtor për të shtatë akuzat penale të ngritura kundër tij në lidhje me rënien e perandorisë së tij të kriptove.
Gjatë një bisede më 1 dhjetor, kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se është shumë herët për të folur për uljen e normave të interesit tani dhe banka qendrore do të vazhdojë të ndjekë politikën kufizuese derisa politikëbërësit të jenë të sigurtë se inflacioni po kthehet në nivelin e 2%.
Ai theksoi se njësoj si pjesa më e madhe e parashikuesve, kolegët e tij dhe ai vetë parashikojnë që rritja e shpenzimeve dhe prodhimit do të ngadalësohet gjatë vitit të ardhshëm, pasi efektet e pandemisë dhe rihapjes zbehen, ndërsa politika monetare kufizuese rëndon mbi kërkesën agregate.
Deklaratat e tij nxitën pritshmëritë se Fed ndoshta nuk do të rrisë më normat e interesit tani për tani, pasi seria e rritjeve të normave që nga marsi 2022 ka ulur aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, Powell tha se është e parakohshme të arrihet në përfundimin se qëndrimi ka qenë mjaft kufizues dhe se mund të pasojnë më shumë rritje.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.