5 metër kub ujë në muaj falas për familjet në nevojë – Subvencionet/MIE vendos prioritetet për ujësjellësit. Likujdim i borxheve për energjinë
Subvencionet që përfitojnë shoqëritë e ujësjellës – kanalizimeve nga shteti do të duhet të përdoren për likujdimin e faturave të energjisë elektrike dhe kompensimin e sasisë minimale jetike të ujit për familjet në nevojë.
Ministria e Infrastrukutrës dhe Energjisë ka miratuar udhëzimin që përcakton kriteret dhe proceduart për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve që marrin ujësjellësit nga buxheti i shtetit për vitin 2024, duke specifikuar vetëm këto 2 proritete për përdorimin e fondeve buxhetore.
Kjo, ndryshe nga viti i kaluar ku prioritet ishte likujdimi i detyrimeve emergjente, të cilat pengonin veprimtarinë normale të shoqërisë. Përveç energjisë elektrike, këtu përfshihej dhe likujdimi i detyrimeve të prapambetura për sigurimet shoqërore apo pagat e punonjësve.
Ndërkaq, kompensimi i sasisë minimale të ujit për familjet në nevojë është përfshirë për herë të parë në këtë udhëzim, duke specifikuar se për këto kategori do të zbritet nga fatura vlera për 5 m³/muaj ujë.
Po ashtu, udhëzimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë përcakton se për të përfituar subvencion për likujdimin e faturave të energjisë elektrike, prioritet do të kenë shoqëritë që kanë mbi 75% të prodhimit me ngritje mekanike.
Gjatë vitit 2023 qeveria shpërndau 310 milion lekë subvencione për kompanitë e ujësjellës-kanalizime. Në raport me një vit më parë, shifra ka pësuar rënie me 50 mln lekë.
Ndërkohë Enti Rregullator i Ujit ka theksuar shpesh herë se nevoja reale për subvencione, për mbulimin e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes për të gjithë sektorin është shumëfish më e lartë se vlera që shpërndan qeveria për këto kompani.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.