Rritet prodhimi i energjisë në vend – Bilanci për 3-mujorin, prodhimi u dominua nga HEC-et private dhe koncesionare
Situata hidrike ka favorizuar prodhimin e energjisë elektrike në vend, teksa të dhënat tregojnë se gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, u gjeneruan rreth 4.5 mln mWh energji. Kjo shifër është më e lartë edhe se 4 – mujori i vitit të shkuar, ku u gjeneruan rreth 3.5 mln mWh energji. Por, ndryshe nga viti që shkoi, prodhimi u dominua nga hidrocentralet private dhe koncesionare me 51.2% të energjisë totale, teksa hidrocentralet e Kaskadës së Drinit gjeneruan 48.8% të energjisë.
Paralelisht ka vijuar edhe prodhimi i energjisë nga centralet fotovoltaike, ndonëse sasia e gjeneruar është tejet e ulët në raport me energjinë e prodhuar nga burimet hidrike. Për periudhën janar – mars këto impiante prodhuan 22,887 mWh energji.
Ndërkaq, konsumi total i energjisë, duke përfshirë të gjitha kategoritë e konsumatorëve, për 3-mujorin arriti në rreth 2.2 mln mWh energji. Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 3-mujorin u regjistrua në 19.3%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i takon nivelit të arkëtimeve, ai vijon të mbetet i qëndrueshëm, me rreth 96% të faturave të gjeneruara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përgjatë periudhës janar-mars 2024.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.