20% e të punësuarve në privat, me paga minimale – Anashkalohen kontratat individuale, masa për subjektet
Pavarësisht reformave të ndërmarra kundër informalitetit në vend, ai sërish vijon të jetë prezent në forma të ndryshme. Një nga format e informalitetit në punësim është të punuarit pa një marrëveshje pune të shkruar.
Gjatë vitit 2023, Inspektorati Shtetëror i Punës, ka evidentuar gjithsej 2,502 punëmarrës pa kontrata individuale pune në inspektimet e kryera ose rreth 1.2% e totalit të këtyre punëmarrësve të evidentuar gjithsej. Krahasuar me një vit më parë rezultojnë 15 % më pak punëmarrës pa kontrata pune.
Të dhënat për punëmarrës pa kontrata pune vetëm në subjekte private, sipas llojit të aktiviteteve ekonomike, tregojnë se pjesa më e madhe janë në sektorin Tregti Hotel-Bar-Restorante me 1,323 punëmarrës, në ndërtim janë konstatuar 424 dhe industrinë prodhuese 434 individë.
Nga ana tjetër, punësimi me pagë minimale rezulton në masën 20 % të punëmarrësve të evidentuar në punë në aktivitetet private të inspektuara gjatë vitit 2023. Në total janë inspektuar 9,820 biznese private dhe rreth 201 mijë vende pune.
Në vitin 2023, nga inspektimet e kryera, u vendosën 2506 masa administrative, që përfaqësojnë rreth 25% të subjekteve të inspektuara. Kjo tregon se gjatë inspektimit janë zbuluar shkelje të ndryshme të ligjit të punës dhe janë marrë masat e duhura për t’u korrigjuar ato.
Masa administrative mund të jenë vendosur për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, orëve të punës, pagave, etj. Sa i takon ndarjes në përqindje të penaliteteve rezulton se 44 % janë “Pezullim” për shkelje flagrante të marrëdhënieve të punës dhe sigurisë në punë, 50 % janë “Paralajmërim”. 6 % janë masa me “Gjobë.
Rezulton që kundrejt numrit të inspektimeve, Drejtoria Rajonale e Inspektoriatit Shtetëror të Punës Dibër ka shkuar me masa administrative në 84 % të inspektimeve, Drejtoria Rajonale e Vlorës ka shkuar me masa administrative në 59 % të inspektimeve.
Elisabeta Dosku/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.