Më pak humbje energjie në rrjet – ERE: Në janar-gusht niveli arriti në 17.59%
Ola Mitre / SCAN
Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 8 – mujorin e parë të këtij viti u regjistrua në 17.56%, apo 1.59 % më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 19.15%. Të dhënat janë publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, që tregojnë tendencën rënëse të raportuar edhe gjatë muajve të mëparshëm.
Humbjet e energjisë në rrjet vijnë për 2 arsye. E para lidhet me rrjetin e amortizuar, që konsiderohen si humbje teknike, ndërsa e dyta përfshin humbjet joteknike apo thënë ndryshe vjedhjet. Gjatë këtij viti janë raportuar një sërë investimesh në rrjet, çka mund të kenë ndikuar në përmirësimin e humbjeve, por edhe aksionet për ndërprejen e lidhjeve të paligjshme nga OSHEE nuk kanë munguar.
Ndërkaq, vetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka bërë publik objektivin për uljen e sasisë së energjisë që humbet në rrjet në 17.93%, deri në fund të këtij viti. Ky target konsiderohet ambicioz, duke marrë në konsideratë se tejkalon objektivat e vendosur nga qeveria për reduktimin e humbjeve.
Sipas planit të rishikuar nga Këshilli i Ministrave, viti 2024 duhet të mbyllet me një nivel humbjesh prej 18.5% apo 0.57% më shumë sesa synohet të arrihet nga OSHEE. Po ashtu, sipas këtij plani, në vitin 2025 humbjet duhet të jenë në nivelin 18.1%, ndërsa në 2026-ën 17.8%.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.