AIDA pjesë e panairit të produkteve organike, Biofach në Nuremberg – Synohet mbështetja e 6 kompanive shqiptare pjesëmarrëse
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) vijon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar praninë dhe konkurrueshmërinë e industrisë organike shqiptare në tregun ndërkombëtar.
Me mbështetjen e Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri (ITC – Trade Impact for Good) dhe në bashkëpunim me Programin Zvicerian të Promovimit të Importeve (SIPPO), AIDA do të marrë pjesë për herë të tretë në panairin më të rëndësishëm të produkteve organike, Biofach 2024, në Nuremberg, Gjermani.
Panairi, i cili do të zhvillohet nga data 13 – 16 Shkurt 2024, ofron një platformë të shkëlqyer për të promovuar prodhimin organik shqiptar për një audiencë ndërkombëtare. The world’s leading trade fair for organic food: Biofach Trade Fair | BIOFACH
Në këtë panair, Pavijoni i Shqipërisë, i cili organizohet nga AIDA, do të prezantohet me një gamë të gjerë të produkteve organike, duke përfshirë bimët medicinale, aromatike dhe vajin e ullirit, si dhe të gjitha inovacionet dhe potencialet e sektorit.
Pjesëmarrja e AIDA-s, në bashkëpunim me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë, synon të mbështesë 6 kompani shqiptare pjesëmarrëse në pavijon, duke ju ofruar një platformë të rëndësishme për të ndarë përvojat dhe zhvillimet më të fundit në fushën e ushqimeve organike.
Gjithashtu, do të organizohen takime biznesi me kompanitë e interesuara (B2B), për të përmirësuar bashkëpunimin dhe për të identifikuar mundësi të reja të biznesit në tregun ndërkombëtar.
Qëllimi kryesor i pjesëmarrjes në Biofach 2024 është të nxitja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregun global të ushqimeve organike. Përveç kësaj, synohet të rritet ndërgjegjësimi ndaj tregjeve të reja dhe përmirësimi i qasjes me blerësit potencialë për prodhimet organike të Shqipërisë.
Panairi Biofach 2024 ofron një mundësi për të prezantuar potencialet dhe cilësinë e produkteve organike shqiptare.
AIDA dhe partnerët e saj janë të vendosur të përdorin këtë mundësi për të afruar prodhuesit shqiptarë me blerësit ndërkombëtarë dhe për të avancuar industrinë organike në Shqipëri.
N.Xh / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.