Çmime më të lira në janar – INSTAT konfirmon tendencën rënëse. Në muajin e parë të vitit, inflacioni 3,4%
Fillimi i vitit 2024 ka konfirmuar tendencën rënëse të çmimeve të nisur gjatë fundvitit të kaluar. Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë se në muajin janar inflacioni në bazë vjetore u regjistrua në 3,4%. Gjithsesi, ky nivel mbetet ende i lartë krahasuar me Eurozonën, ku për të njëjtin muaj rezultoi 2,8%. Por, duket se edhe në vendin tonë po nis të reflektohet ecuria e çmimeve në Europë.
Krahasuar me muajin janar 2023, rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua sërish në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,3%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 16,4%, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 8,8%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 5,5%, “mish” me 4,3 %, etj. Ndërkohë, çmimet në sektorin e transportit kanë vijuar tendencën rënëse me 4,3% të vërejtur gjatë fundvitit të kaluar.
Tendencën rënëse të inflacionit e konfirmoi vetëm pak ditë më parë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Sipas tij, inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij. Sejko theksoi se, ky reduktim do të pasqyrojë ecuri më të balancuar të kërkesës dhe të ofertës agregate në ekonominë vendase, si dhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.