Ankesat për energjinë elektrike – ERE, “tërheqje veshi” FSHU-së: Të përmirësohet treguesi i zgjidhmshërisë
Pavarësisht se niveli i zgjidhjes së ankesave të paraqitura pranë Furnizuesit të Shërbimit Universal është i kënqashëm, Enti Rregullator i Energjisë kërkon përmirësimin e treguesit, si dhe zgjidhjen sipas legjislacionit në fuqi. Kërkesa erdhi në mbledhjen e fundit të bordit të ERE-s, ndërsa bazohet në rezultatet e një montiorimi të kryer për periudhën Tetor 2021 – Qershor 2022.
Sipas verifikimeve rezulton se, niveli i zgjidhshmërisë së ankesave për periudhën e monitoruar është 94 %, por sipas ERE-s “duhet të merret në konsideratë që cdo ankesë e konsumatorëve të trajtohet dhe të zgjidhet sipas akteve ligjore në fuqi dhe në çdo rast Furnizuesi i Shërbimit Universal të vijojë me përmisimin e këtij treguesi për të arritur në nivelet maksimale të zgjidhjes së çdo ankese të konsumatorëve.
Të dhënat mbi numrin total të ankesave/kërkesave të depozituara pranë FSHU-së, për vitin 2022 nuk janë bërë publike, ndërkohë që gjatë vitit 2021 rezultoi se, totali i ankesave të paraqitura nga të gjitha burimet ishte 141,809. Për këtë vit niveli i zgjidhshmërisë rezultonte në 90.5%, duke qenë se 128,361 prej ankesave të depozituara kishin marrë zgjidhje.
Objekti i ankesave është i ndryshëm, duke nisur nga mbifaturimet, faturimet afrofe, energjia e pamatur, por edhe kërkesa të ndryshme, që gjithashtu përfshihen në shifrat e mësipërme.
Ola Mitre/ SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.